Kampionati i shkollave “Replay Cup”, i organizuar nga Federata e Futbollit në bashkëpunim me kompaninë “Elka”, ka përfunduar sot me zhvillimin e dy finaleve emocionuese në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Në finalen e djemve, shkolla “Bedri Llagami” (Tiranë) dominoi takimin ndaj “Dhaskal Todri” (Elbasan), duke fituar me rezultatin bindës 12-2 dhe duke u shpallur kampione e këtij edicioni.
Ndërkohë, edhe në kategorinë e vajzave, “Bedri Llagami” arriti një tjetër sukses, duke mundur në finale “Pandeli Calen” (Korçë) me rezultatin minimal 1-0.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin trajneri i ekipit Kombëtar, Silvinjo, si dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Pano Xhixho. Ata shpërndanë medaljet, kupat dhe dhuratat për skuadrat finaliste, të cilat u dhuruan nga “Replay Cup”.
Ky kampionat, që në edicionin e tij të parë mblodhi 16 ekipe shkollash nga 8 shoqata rajonale të futbollit, ka për qëllim promovimin e futbollit në shkolla dhe nxitjen e përfshirjes së vajzave dhe djemve në këtë sport të bukur.
“Replay Cup” djem:
Bedri Llagami vs Dhaskal Todri 12-2
“Replay Cup” vajza:
Bedri Llagami vs Pandeli Cale 1-0









© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: