Pas barazimit spektakolar 3-3 ndaj Interit në gjysmëfinalen e parë të Champions League, Barcelona kthehet në La Liga për të përballuar Valladolid-in, skuadër që tashmë është zyrtarisht e rënë nga kategoria. Në prag të sfidës së javës së 34-t, trajneri Hansi Flick konfirmoi se do të bëjë rotacione në formacion, për të shmangur lodhjen dhe rrezikun e dëmtimeve në një fund sezoni të mbingarkuar.
“Ndeshja kundër Interit tregoi se edhe lojtarë si Koundé mund të pësojnë dëmtime. Duhet të shohim me staf teknik kush ka nevojë për pushim. Këto javë janë vendimtare,” u shpreh Flick, duke theksuar se Lewandowski dhe Balde ende nuk janë gati për t’u rikthyer në fushë. Në portë, megjithatë, pritet një rikthim i madh: Marc-André ter Stegen do të jetë titullar për herë të parë pas më shumë se shtatë muajsh, që nga dëmtimi i rëndë i pësuar më 29 shtator kundër Villarreal-it.
Në konferencën për shtypin, Hansi Flick ndau edhe disa mendime për talentin 17-vjeçar, Lamine Yamal, një nga ‘yjet’ më premtues të Barcelonës. Gjermani nuk kurseu lavdërimet, por i dërgoi edhe një mesazh të qartë:
“Lamine është një gjeni, por duhet të punojë shumë për ta zhvilluar talentin e tij. Edhe gjigantë si Cristiano Ronaldo e Lionel Messi janë bërë legjenda falë përkushtimit të jashtëzakonshëm.”
“Është vetëm 17 vjeç, por duhet të jetë i vetëdijshëm që për të qëndruar në këtë nivel e për t’u përmirësuar, puna e përditshme është thelbësore. Ai vetë dëshiron të përparojë dhe kjo është shumë pozitive,” shtoi Flick, i kënaqur me qëndrimin dhe rritjen e lojtarit të ri.
Barcelona synon të ruajë ritmin në kampionat dhe të mbërrijë në finalen e madhe të Champions, teksa Flick kujdeset të mbajë ekuilibrin mes ambicies sportive dhe menaxhimit të burimeve njerëzore.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: