Ka ardhur momenti i së vërtetës. Interi duhet të reagojë për të rikuperuar veten ose do të rrëshqasë drejt Ferrit pas tri humbjeve radhazi në të gjitha kompeticionet. ‘Ushtria’ e Simone Inzaghit, që dukej e pandalshme, u rrëzua përnjëherësh nga vendi i parë në të dytin në renditje, duke shkuar -3 pikë nga Napoli, dhe u eliminua nga Kupa e Italisë nga Milani.
Asgjë nuk është humbur ende – kampionati dhe Champions League janë akoma të hapura – por ëndrra për ‘Tripletën’ ka marrë fund.
Situata është krejt ndryshe për Barcelona-n, e cila vjen në këtë përballje pasi fitoi finalen e Kupës së Mbretit kundër Real Madridit (3-2 pas kohës shtesë), një sukses që e ka çuar Ancelottin një hap larg lamtumirës me “Los Blancos”.
Barcelona po argëton, po shënon shumë gola (ka kaluar shifrën e 150 golave këtë sezon) dhe po kënaqet në fushë. Por duhet të kenë kujdes nga momentet e rënies së përqendrimit, pasi squadra e Flick humbi 3-1 ndaj Dortmundit në ndeshjen e fundit të Champions-it.
Tek Interi mungon Pavard, ndërsa Simone Inzaghi rikuperon plotësisht Dumfries, Dimarco dhe Thuram, i cili rikthehet në sulm krah Lautaro Martinez. Marcus Thuram nuk kishte luajtur që nga ndeshja e fundit e Champions kundër Bayern-it në shtëpi.
Barcelona do të jetë pa Leëandoëski-n dhe Balde: në vend të sulmuesit polak do të luajë Ferran Torres si “9 fals”, ndërsa në të majtë do të jetë i riu Gerard Martín. Szczesny ruan vendin në portë, pavarësisht rikthimit të ter Stegen, ndërsa në mesfushë Dani Olmo do të plotësojë repartin me Frenkie de Jong dhe Pedrin, duke lënë në stol Fermín López.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: