Ancelotti drejt fundit të aventurës te Real Madridi, përfaqëuesi i Brazilit nodhet në Madrid

Ancelotti drejt fundit të aventurës te Real Madridi, përfaqëuesi i Brazilit nodhet në Madrid

17:02, 27/04/2025

Humbja e Real Madridit të Carlo Ancelotti-t në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës në Sevilla është një lajm në vetvete, por mund të mbetet edhe si një ndeshje historike: e fundit finale e teknikut italian në stolin e "Los Blancos", skuadër me të cilën ai ka hyrë në historinë e klubit.

Pas fillimit të sezonit me triumfin në Superkupën Evropiane dhe suksesin në Kupën e Botës për Klube, kundër Barcelonës erdhi dështimi i dytë i rëndësishëm për Ancelotti-n, i cili duket se e ka tashmë të shkruar fatin që nga eliminimi në Champions League nga Arsenali.

Në horizontin e tij është pankina e Brazilit, dhe gjithçka mund të ndodhë shumë shpejt: sipas relevo.com, mbrëmjen e djeshme në Sevilla ishte i pranishëm Diego Fernandes, përfaqësues i Federatës së Futbollit të Brazilit dhe kontakt i vazhdueshëm i Ancelotti-t në muajt e fundit.

Fernandes ndodhet ende në Spanjë për të finalizuar marrëveshjen dhe, sipas mediave lokale, optimizmi është i madh. Federata braziliane dëshiron që Ancelotti të marrë drejtimin e kombëtares përpara nisjes së Kupës së Botës për Klube, që do të zhvillohet nga 14 qershori deri më 15 korrik në rast të një finaleje të mundshme për Realin.

Pas humbjes, vetë Ancelotti deklaroi: “Siç kam thënë, mund të vazhdoj, mund edhe të ndalem, kjo do të jetë një temë për javët në vijim."

Për italianin do të ishte hera e parë si trajner i një kombëtareje, një sfidë magjepsëse për të rilindur futbollin brazilian dhe për të vazhduar të punojë me ‘yje’ si Vinicius Jr., që nën drejtimin e tij është kthyer në një superstar botëror.

Tani gjithçka është në duart e presidentit Florentino Perez, i cili, sipas mediave spanjolle, kishte menduar për një shkarkim të menjëhershëm në rast humbjeje në finalen e Kupës, por më pas ka vendosur ta mbajë Ancelottin deri në fund të sezonit për të luftuar deri në fund për titullin e La Liga-s. Pyetja është: a do ta lejojë Perez Ancelottin të largohet para Kupës së Botës për Klube, duke i lënë Realit pak kohë për t’u përshtatur me një trajner të ri për një turne kaq të rëndësishëm?

Në çdo rast, humbja ndaj Barcelonës nuk do të jetë "El Clasico"-ja e fundit për Ancelotti-n. Real Madridit i mbeten edhe pesë ndeshje në La Liga: ndaj Celta-s, Mallorca-s, Sevilla-s, Real Sociedadit dhe sfida vendimtare më 11 maj kundër Barcelonës së Flick. Një duel që mund të vendosë fatin e titullit – dhe që mund të jetë akti i fundit i një aventure që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Madridit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco