Ruud van Nistelrooy ende nuk e di çfarë e pret në të ardhmen, pas një sezoni të vështirë me Leicester City-n. Klubi anglez zyrtarisht ka rënë nga Premier League, pas humbjes 1-0 ndaj Liverpool-it në stadiumin "King Power" fundjavën e kaluar, duke grumbulluar vetëm 8 pikë në 20 ndeshje që prej mbërritjes së teknikut holandez në pankinë.
E ardhmja në pikëpyetje
Pavarësisht se ka zhvilluar takime me drejtuesit dhe bordin drejtues të klubit, Van Nistelrooy ende nuk e ka të qartë nëse do të vazhdojë aventurën me Leicesterin apo do të largohet.
“E di cili është plani im për të rikthyer klubin në nivelet e larta, por po pres që të ketë përputhje në vizione. Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më mirë për klubin,” deklaroi ai në konferencën për shtypin para ndeshjes kundër Wolverhampton-it në “Molineux”.
Situatë e rënduar
Van Nistelrooy nënshkroi një kontratë trevjeçare me Leicesterin në nëntor, pas shkarkimit të Steve Cooper, i cili qëndroi në detyrë vetëm 157 ditë. Megjithatë, as ish-trajneri i përkohshëm i Manchester United-it nuk arriti ta ndalte rënien e lirë të "Dhelprave", që tashmë regjistrojnë rënien e dytë nga elita në vetëm tri sezone.
Ndërkohë që drejtuesit e klubit ende nuk kanë marrë një vendim për të ardhmen e tij, tifozët e Leicesterit e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre. Sipas BBC, përpara nisjes së ndeshjes me Liverpool-in, një avion i vogël fluturoi mbi stadiumin "King Power", duke tërhequr një pankartë me mbishkrimin: “King Power Clueless, Sack The Board” – në shqip: “King Power është i paaftë, largoni bordin drejtues”.
Pas një sezoni zhgënjyes, mbetet për t’u parë nëse Van Nistelrooy do të ketë një shans të dytë për ta rikthyer Leicesterin në Premier League, apo do të mbyllë menjëherë kapitullin e tij anglez.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: