Real Madridi rikuperon dy francezët, por Ancelotti i ruan për ‘El Clasicon’

Real Madridi rikuperon dy francezët, por Ancelotti i ruan për ‘El Clasicon’

13:21, 22/04/2025

Lajme të mira për Carlo Ancelotti-n në prag të transfertës së nesërme ndaj Getafes: Kylian Mbappé dhe Ferland Mendy janë rikuperuar dhe janë sërish në dispozicion të skuadrës. Të dy janë stërvitur normalisht mëngjesin e sotëm në kompleksin Valdebebas, duke rritur opsionet për trajnerin italian në këtë fundsezoni vendimtar.

Mbappé, i cili pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës gjatë ndeshjes së kthimit ndaj Arsenalit në Champions League, kishte munguar në sfidën e fundjavës kundër Athletic Bilbaos. Edhe Mendy, që kishte qenë jashtë fushave që nga 12 marsi pas një dëmtimi në përballjen ndaj Atletico Madridit, është bashkuar për herë të parë me grupin sot dhe është në formë për të luajtur.

Megjithatë, sipas të përditshmes ‘Marca’, Ancelotti nuk ka ndërmend të rrezikojë me francezët. Asnjëri prej tyre nuk do të startojë nga minuta e parë në përballjen në "Coliseum Alfonso Pérez". Ata pritet të jenë në stol dhe të aktivizohen vetëm në rast nevoje, duke pasur parasysh objektivin madhor: finalja e Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës, që zhvillohet të shtunën.

Rikthimi i dy lojtarëve konsiderohet thelbësor për planet e "Los Blancos", të cilët po synojnë të mbyllin sezonin me një tjetër trofe të rëndësishëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco