Inter-Napoli drejt një përballjeje historike për titullin, në horizont një ‘playoff’ për Scudetto-n!

Inter-Napoli drejt një përballjeje historike për titullin, në horizont një ‘playoff’ për Scudetto-n!

14:06, 21/04/2025

Sezoni 2024-25 i Serie A po hyn në fazën më të zjarrtë dhe emocionuese, me një skenar historik që po merr formë në horizont: një ndeshje “playoff” për titullin kampion. Me vetëm pesë javë të mbetura, Interi dhe Napoli ndodhen në krye të renditjes me nga 71 pikë, duke hapur rrugën për aplikimin e një rregulli të ri të miratuar që nga sezoni 2022-23.

Rregull i ri, skenar i paprecedentë modern

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, nëse dy skuadra mbyllin kampionatin me pikë të barabarta në vendin e parë, nuk merren më parasysh as rezultatet direkte dhe as diferenca e golave për të përcaktuar kampionin. Në vend të tyre, luhet një ndeshje e vetme “playoff”, në fushë neutrale — më e mundshmja, ‘Stadio Olimpico’, në Romë.

Ky duel nuk do të ketë shtesa kohore: nëse ndeshja përfundon në barazim pas 90 minutave, fituesi do të përcaktohet direkt me penallti.

I vetmi precedent, finalja e vitit 1964

Një rast i vetëm ekziston në historinë e Serie A-s kur është luajtur një ndeshje e tillë për titullin: në vitin 1964, kur Bologna dhe Interi përfunduan me pikë të barabarta dhe u përballën në një finale në “Olimpico”, ku fituan emilianët 2-0. Por ndryshe nga sot, ajo ishte një zgjidhje e jashtëzakonshme, pa një rregull të shkruar. Tani, gjithçka është e paracaktuar në rregullore, dhe nëse Interi dhe Napoli barazojnë në fund, “playoff”-i do të jetë i detyrueshëm.

 

Një garë pa mëshirë

Barazimi në pikë ka ardhur pas humbjes së Interit në Bologna (1-0) dhe fitores së Napolit ndaj Monzës (0-1). Tashmë, të dyja skuadrat janë në kushte krejtësisht të ndryshme:

Interi i Simone Inzaghit përballet me lodhje të madhe për shkak të angazhimeve në Kupën e Italisë dhe Evropë.

Napoli i Antonio Contes ka rigjetur qetësinë dhe ekuilibrin në momentin më të rëndësishëm të sezonit.

 

Kalendari i ndeshjeve të mbetura:

Inter:

Java 34: Roma (shtëpi)

Java 35: Hellas Verona (shtëpi)

Java 36: Torino (jashtë)

Java 37: Lazio (shtëpi)

Java 38: Como 1907 (jashtë)

Napoli:

Java 34: Torino (shtëpi)

Java 35: Lecce (jashtë)

Java 36: Genoa (shtëpi)

Java 37: Parma (jashtë)

Java 38: Cagliari (shtëpi)

 

Nëse këto pesë javë nuk sjellin diferenca mes tyre, më 26 maj 2025 mund të shohim një ndeshje historike për Scudetto-n, e para e këtij lloji në epokën moderne. Dhe emocione më të mëdha se kaq, Serie A nuk mund të ofrojë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco