Marrota i blen, Inzaghi u jep vlere, ‘formula’ perfekte për rritjen e Interit

Marrota i blen, Inzaghi u jep vlere, ‘formula’ perfekte për rritjen e Interit

19:45, 18/04/2025

Simone Inzaghi ka vendosur një vijë të qartë ndarëse mes "para" dhe "pas" në historinë e fundit të Interit. Në verën e vitit 2021, ai mori drejtimin e ekipit pas largimit të trazuar të Antonio Contes në një moment kur mbi ambientin zikaltër nuk shndriste asnjë rreze shprese. Por, edhe pse i përballur me një situatë të vështirë, Inzaghi jo vetëm që nuk e bëri të mungojë Conten, por solli qetësi dhe stabilitet, si brenda fushës, ashtu edhe jashtë saj.

Rezultatet? Impresionuese. Rekord pas rekordi, suksese në Serie A dhe Evropë, e gjithë kjo arritur pavarësisht kufizimeve financiare, shkurtimeve, buxheteve të ngushtuara dhe pagave të reduktuara. “Përkundër gjithçkaje, ne ia dolëm,” shprehet shpesh Inzaghi me një buzëqeshje sfiduese “alla Conte”.

Por ndoshta merita më e madhe e tij nuk qëndron vetëm te trofetë, por te vlera që ai ka krijuar. Ai ka marrë një skuadër në tranzicion dhe po e dorëzon – kurdo që të ndodhë kjo – një ekip me një trashëgimi të rritur ndjeshëm në vlerë dhe cilësi.

Nga ‘diamante’ të papunuar në ‘yje’ të çmuar

Duke u mbështetur te të dhënat e Transfermarkt, një faqe e specializuar që vlerëson lojtarët në tregun e futbollit, Interi i Inzaghit është shembulli më i mirë i mënyrës si një trajner mund të rrisë ndjeshëm vlerën e një lojtari. Marotta i blen, Simone i zhvillon – një formulë që ka funksionuar në mënyrë perfekte.

  • André Onana: i ardhur si lojtar i lirë, u shit pas vetëm një viti për 50 milionë euro + 5 milionë bonus te Manchester United.
  • Marcus Thuram: edhe ky i marrë falas, ka tashmë një klauzolë largimi prej 85 milionë eurosh.
  • Yann Bisseck: u ble për pak më shumë se 7 milionë, sot vlerësohet mes 30 dhe 40 milionë eurove.
  • Carlos Augusto: nga 13 milionë në blerje, tashmë vlera e tij është trefishuar.

Rritja e madhe e kolonave të skuadrës

Rastet më domethënëse janë pa dyshim ato të Dimarcos, Bastonit, Barellës dhe Lautaros – lojtarë që janë rritur ndjeshëm nën drejtimin e Inzaghit:

  • Federico Dimarco: nga 18 milionë në 2021 në 60 milionë sot.
  • Alessandro Bastoni: nga 60 në 80 milionë, duke u bërë mbrojtësi më i vlefshëm në botë.
  • Nicolò Barella: nga 60 milionë në kohën e Contes, sot 70 milionë (me potencial më të madh).
  • Lautaro Martínez: nga 75 në 95 milionë, me vlerësime që një vit më parë shkonin deri në 110 milionë euro.

Një vlerë e shtuar për klubin

Ndërsa shifrat mund të jenë të diskutueshme, tendenca është e qartë: Interi është rritur. Jo vetëm në fushë, por edhe në bilance. Falë premiove të UEFA-s, sukseseve në kampionat dhe rritjes së vlerës së aseteve, sot drejtuesit e rinj të klubit, Oaktree, mund të buzëqeshin. Dhe ndryshe nga e kaluara, Interi nuk ka më nevojë të shesë një ‘yll’ për të balancuar llogaritë.

Simone Inzaghi nuk ka qenë vetëm një trajner. Ai ka qenë projektuesi, ndërtuesi dhe përpunuesi i një Interi të ri – më i fortë, më i qëndrueshëm dhe më i vlefshëm se kurrë më parë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco