Barcelona do të përballet me Borussia Dortmundin në ndeshjen e kthimit të çerekfinales së Champions League, duke udhëtuar drejt Gjermanisë me qetësi të plotë, falë fitores së thellë 4-0 në ndeshjen e parë. “Muri i verdhë” i tifozëve vendas mund të jetë imponues, por përmbysja e kërkuar nga gjermanët duket thuajse e pamundur, edhe vetëm për t’u imagjinuar.
Trajneri i katalanasve, Hansi Flick, foli në konferencë për shtyp përpara sfidës:
“Kam besim të plotë te skuadra ime,” deklaroi ai. “Vijmë nga një fitore 4-0 në ndeshjen e parë. Po përpiqemi të luajmë në nivelin më të lartë dhe mendoj se në ndeshje të tilla duhet të jemi shumë të përqendruar dhe të luajmë siç dimë.”
Nëse në Itali Interi synon të fitojë 3 trofe plus Kupën e Botës për Klube, te Barcelona ëndërrojnë më shumë – trium në La Liga, Kupën e Mbretit, Champions, Superkupën e Spanjës, Superkupën e Europës dhe Kupën e Botës për Klube. Pra, atë që në Spanjë quhet “Sextete”. Por trajneri gjerman tregohet i matur:
“Të përsëris atë që bëra me Bayern? E them gjithmonë: nuk jetoj me të kaluarën dhe me ato që fitova me Bayernin, por në të tashmen. Gjithçka që do të vijë është e mirëseardhur, por kjo është e ardhmja – tani duhet të përqendrohemi te ndeshja ndaj Dortmundit. Duhet të jemi të fokusuar te ndeshja e nesërme.”
Për Dani Olmo, i cili po rikuperon formën:
“Do të shohim nëse mund të luajë nesër apo jo dhe nëse do të jetë gati për fundjavën. Ka cilësi të mëdha, por është e vërtetë që nuk kemi mundur gjithmonë të llogarisim tek ai për shkak të dëmtimeve. Gjithsesi, jemi shumë të lumtur që e kemi sërish në skuadër.”
Ndërkohë për Robert Lewandowski-n, Flick u shpreh:
“Është e qartë se të kesh një lojtar të kalibrit të tij në skuadër ndihmon shumë. Është shumë profesionist dhe ka përvojë të madhe. Mbështetemi shumë tek ai dhe çdo ditë ai dëshmon cilësitë që e bëjnë një lojtar të madh. Është shembull i shkëlqyer për të gjithë ne.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: