Nesër, në mbrëmje, në orën 21:00, Aston Villa do të tentojë mrekullinë. Vetëm kështu mund të përshkruhet sfida që i pret djemtë e Unai Emery, të cilët duhet të përmbysin disavantazhin 3-1 të pësuar në ndeshjen e parë ndaj Paris Saint-Germain, në një përballje ku francezët treguan qartë diferencat në cilësi, pavarësisht golit të shpejtë të britanikëve në Paris.
Në konferencën për shtypin në prag të ndeshjes së kthimit, krahas trajnerit Emery foli edhe sulmuesi Morgan Rogers, i cili theksoi rëndësinë jetike që do të ketë atmosfera në ‘Villa Park’ për të përmbushur këtë mision të vështirë.
"Tifozët tanë na japin një energji të jashtëzakonshme," – tha Rogers. – “Atmosfera do të jetë madhështore, e kemi parë gjatë gjithë këtij sezoni, si në Champions League ashtu edhe në ndeshjet më të rëndësishme. Do të kemi nevojë për ta nesër. Ndonjëherë nuk ka të bëjë me taktikën, por me zemrën, vendosmërinë dhe lidhjen me tifozët. Kjo është ajo që të shtyn përpara.”
Për sa i përket besimit për një përmbysje, Rogers nuk lë vend për dyshime:
"Ne besojmë shumë. Shumë na konsideruan të eliminuar që para ndeshjes së parë. Por ne treguam se dimë të luajmë. Tani duhet të përmirësojmë disa gjëra për takimin e kthimit. I kemi përballuar tashmë, tani është pak më e lehtë sepse i njohim më mirë. Kemi një detyrë për të përmbushur. Nuk ka ndjenjë më të mirë sesa të luash një çerekfinale të Champions League në shtëpi. Nëse dikush mund ta përmbysë këtë ndeshje, jemi ne. E dimë që do të jetë e vështirë, nuk po themi që do t’ia dalim, por do ta provojmë, do të hyjmë në fushë për të fituar 100%."
Një sfidë titanike në horizont, por Aston Villa është gati të luftojë deri në fund, e mbështetur nga forca e publikut dhe besimi i palëkundur në vetvete.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: