Manchester United në krizë të thellë, periudha pas Fergusonit një katastrofë pa mbarim

Manchester United në krizë të thellë, periudha pas Fergusonit një katastrofë pa mbarim

17:55, 14/04/2025

Një tjetër goditje e rëndë për Manchester United, që po përjeton një nga sezonet më zhgënjyese në historinë e Premier League. “Djajtë e Kuq” u poshtëruan në “St. James' Park” nga Newcastle, në një sfidë ku as vendimi i trajnerit Ruben Amorim për të zëvendësuar portierin Andre Onana me Altay Bayindir nuk dha efekt. Madje, portieri turk u fajësua për golin e katërt të “Magpies”, që i dha përmasat e një katastrofe humbjes së radhës së United.

Kjo ishte humbja e 14-të këtë sezon, duke barazuar rekordin më negativ të klubit në historinë e Premier League – i njëjti numër humbjesh si sezonin e kaluar, kur kanë mbetur edhe gjashtë javë deri në fund. Nëse ritmi negativ vazhdon, United rrezikon të arrijë në 16 humbje – shifër që s’është parë që nga sezoni 1989-90.

Por statistikat bëhen edhe më dramatike: që nga largimi i Sir Alex Ferguson, Manchester United ka pësuar 115 humbje në 450 ndeshje, një më shumë se sa në 810 ndeshje nën drejtimin e legjendës skoceze. Kjo rënie historike i shton presionin trajnerit Ruben Amorim, i cili u emërua gjatë sezonit për të zëvendësuar Erik ten Hag, por nuk ka arritur ta ndryshojë rrjedhën negative.

 

Bilanci i Amorim është zhgënjyes: në 21 ndeshje ka marrë vetëm 1.1 pikë për ndeshje, me 10 humbje, 5 barazime dhe vetëm 6 fitore. Tashmë, e vetmja shpresë për të shpëtuar sezonin mbetet triumfi në Europa League, i cili do t’i siguronte një vend të papritur në Champions League për sezonin e ardhshëm.

Të enjten ndaj Lyon-it, pas barazimit në ndeshjen e parë, Amorim duhet të marrë edhe një vendim delikat: të vazhdojë me Bayindir në portë, pas gabimeve të së dielës, apo t’i kthehet Onana, i cili gjithashtu ka qenë i pasigurt në javët e fundit.

E gjitha kjo ndodh ndërkohë që rivalët historikë të Liverpool-it janë shumë pranë titullit kampion, që do të ishte i 20-ti në histori, duke barazuar pikërisht rekordin e United. Nëse Arsenali humb në Ipswich, Liverpool mund të festojë titullin që këtë të diel në fushën e Leicester-it – një realitet që vetëm sa e thellon më shumë krizën në “Old Trafford”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco