Barcelona po përballet me një problem të madh sa i përket 'Fair Play'-t financiar për sezonin e ardhshëm. La Liga e ka informuar klubin këtë javë se nuk do të mund të shpenzojë sipas rregullit 1:1 në merkato, pasi organi drejtues nuk e ka pranuar si të vlefshme shitjen e lozhave VIP të 'Camp Nou' për 100 milionë euro.
Pse La Liga nuk e pranon këtë operacion?
Arsyeja është se kjo marrëveshje nuk është përfshirë në raportet financiare të klubit për gjysmën e parë të sezonit, pasi auditori i ri i klubit, Crowne Global, ka vendosur se shitja nuk mund të llogaritet derisa lozhat të jenë ndërtuar plotësisht.
Pa këtë të ardhur të regjistruar, Barcelona mbetet pa hapësirë financiare, çka do të thotë se nuk do të mund të regjistrojë lojtarë si Dani Olmo dhe Pau Víctor për sezonin e ardhshëm.

Afati i fundit, 30 qershori
E vetmja mënyrë për të shpëtuar këtë situatë është që ndërtimi i lozhave VIP të përfundojë përpara 30 qershorit, kur mbyllet bilanci financiar i klubit. Për këtë arsye, Barcelona po ushtron presion mbi kompaninë ndërtuese 'Limak', që të përshpejtojë punimet.
Deri më tani, klubi ka marrë tashmë 58 milionë euro nga marrëveshja, por pa përfunduar ndërtimi dhe verifikimi zyrtar, shitja nuk mund të konsiderohet si e përfunduar dhe nuk mund të regjistrohet në llogaritë financiare.
Optimizëm, por edhe shqetësime
Limak ka premtuar se lozhat do të jenë gati brenda tre muajve, gjë që do të lejonte klubin të verifikonte marrëveshjen me La Liga-n. Megjithatë, vonesat e mëparshme në ndërtimin e 'Camp Nou' kanë krijuar pasiguri dhe askush nuk mund të garantojë 100% se do të përfundojnë në kohë.
Rreziku për merkaton
Nëse ky problem nuk zgjidhet në kohë, Drejtori Sportiv, Deco, do të përballet me një krizë të madhe. Barcelona nuk do të mund të regjistrojë lojtarë si Olmo dhe Pau Víctor, por as nuk do të mund të planifikojë blerje të reja, pasi nuk do të dijë se sa para mund të përdorë.
Disa lojtarë po presin një përgjigje nga Barcelona për një transferim të mundshëm, por aktualisht klubi nuk mund t’u japë asnjë garanci, derisa të zgjidhet çështja e lozhave VIP.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: