Pas fitores 1-0 ndaj Benfica-s në UEFA Champions League, ku luajti një pjesë të madhe të ndeshjes me një lojtar më pak, Barcelona rikthehet në shtëpi për t'u përballur me Osasunën.
Ndeshja e La Ligas zhvillohet të shtunën në mbrëmje, me katalanasit që kryesojnë renditjen para kësaj jave. Megjithatë, ishte pikërisht Osasuna që u shkaktoi "blaugranave" humbjen e parë në kampionat në fund të shtatorit, me rezultatin 2-4 në Pamplona. I vetëdijshëm për këtë, trajneri Hansi Flick kërkoi përqendrim dhe seriozitet nga skuadra e tij para se të presë Benfikën.
"Gjithmonë them se do të jetë një përballje e vështirë. Osasuna, në veçanti, u shfaq shumë e fortë kundër nesh në ndeshjen e parë. Na ushtruan shumë presion, veçanërisht në duelet një kundër një, gjë që na e vështirësoi daljen nga presioni. Tani do të përpiqemi të jemi të përgatitur," tha ai për ndeshjen.
Për atë që po jep Szczesny për Barcelonën: "Ai është fantastik. Na ndihmoi shumë kundër Benfica-s, sidomos në momentin kur po luanim me 10 lojtarë kundër 11. Wojciech ka bërë një punë të shkëlqyer dhe prandaj është numri 1 yni. Të gjithë e dinim se në një moment ai do të arrinte këtë nivel. Unë jam ai që merr vendimet për atë që luan, por gjithmonë i diskutoj këto opsione me stafin tim teknik. Do të ketë rotacione në ekip, por ende nuk kemi vendosur sa. Është thelbësore të dalim në fushë me formacionin më të mirë të mundshëm në çdo moment. Deri tani kemi qenë mirë dhe do të përpiqemi të mbajmë të njëjtin ritëm."
Pedri: "Do të shohim nëse do ta lëmë të pushojë, pasi vrapoi më shumë se 13 km në Lisbonë. Është një profesionist i madh dhe ka qenë fantastik. Ka një përkushtim të madh ndaj rikuperimit sa herë që është e mundur. Stërvitet me intensitet të lartë dhe kjo duket në ndeshje."
Dallimet mes drejtimit të Barçës dhe Bayernit: "Pasi analizuam cilësitë e lojtarëve të Barcelonës, që në fillim e dinim si donim të luanim. Kam qenë i sinqertë me Deco-n (drejtorin sportiv të Barcelonës), ashtu si ai me mua, dhe ky është një fillim i mirë. Shikoj që lojtarët janë të lumtur dhe ka një atmosferë të veçantë në dhomat e zhveshjes, gjë që për mua është më e rëndësishmja. Kjo është ndryshimi më i madh. Të gjithë kujdesen për njëri-tjetrin dhe kjo më pëlqen. Ekziston një mirëkuptim mes lojtarëve dhe stafit teknik. Ata besojnë në planin tonë dhe kjo më ndihmon të udhëheq ekipin."
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: