Rekord i dyfishtë për Simone Inzaghin, trajneri zikaltër sheh larg

Rekord i dyfishtë për Simone Inzaghin, trajneri zikaltër sheh larg

16:24, 06/03/2025

Një mbrëmje rekordesh në Rotterdam për Lautaro Martinez, i cili bëhet golashënuesi më i mirë i Interit në Ligën e Kampionëve, por edhe më shumë për Simone Inzaghin, i cili vendos dy rekorde: është trajneri me më shumë fitore në Champions në historinë e zikaltërve dhe ai me më shumë ndeshje pa pësuar gol në këtë kompeticion.

Me fitoren 2-0 në fushën e Feyenoordit, Inzaghi arriti në kuotën e 22 fitoreve në kompeticionin më të madh evropian, duke kaluar Roberto Mancinin (21) dhe Helenio Herreran (20, sigurisht në Kupën e Kampionëve): një rezultat prestigjioz, i cili mund të përmirësohet akoma, pasi, të paktën, do të ketë edhe një tjetër ndeshje në dispozicion, kthimin e 1/8-ave të finales.

Të dhënat e tjera lidhen me "clean sheets", të cilat kanë arritur në tetë në nëntë ndeshje evropiane këtë sezon, duke e bërë Inzaghin trajnerin (në përgjithësi, jo vetëm të Interit, mes atyre me të paktën 30 ndeshje në kompeticion) me përqindjen më të lartë të ndeshjeve pa pësuar gol: mbi 60%. Këto të dhëna mbrojtëse të kujtojnë sezonin 2022/23, atë që përfundoi me finalen e Champions League kundër Manchester Cityt (më pas e humbur me golin e Rodrit): edhe atëherë ishin tetë "clean sheets" në kompeticion, por këtë herë ka mundësi të përmirësohet ky rekord, duke qenë se të martën është ndeshja në ‘San Siro’ për të siguruar çerekfinalet dhe më pas, eventualisht, një rrugëtim i mëtejshëm, megjithëse plot pengesa, me Bayernin mbi të gjitha, që synon të luajë finalen në shtëpi.

Nuk lejohet të shkohet shumë larg me mendime, duhet të mendohet ndeshje pas ndeshjeje për të mos humbur asnjë objektiv. Por atëherë pse Inzaghi, në konferencën pas Feyenoordit, në pyetjen "a synoni dopietën Champions-kampionat?" u përgjigj "synojmë Tripletën" duke bërë edhe shenjën tre me dorë?

Gjesti i trajnerit zikaltër duket një përzierje mes provokimit të dikujt që, pak minuta më parë, kishte thënë me krenari "gjykohemi çdo dy ditë e gjysmë, por nuk ka problem" dhe që kishte përtypur kritikat pas barazimit 1-1 me Napolin, pavarësisht ruajtjes së vendit të parë në Serinë A, dhe vetëdijes së dikujt që e di se ka në dorë një skuadër të pjekur, e cila, pa frikë, tregon se dëshiron të shkojë përpara në çdo kompeticion.

Nuk është rastësi që menjëherë pas shfaqjes së tre gishtave, ai buzëqeshi dhe menjëherë u rikthye në realitet: "Jemi të kënaqur, duhet të ecim përpara dhe të mos mendojmë shumë për atë që do të vijë".

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco