Po sikur të shihnim Kendrick Lemar në Kupën e Botës 2026? Nuk është më thjesht një hipotezë, sepse presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka njoftuar një risi të madhe për finalen e Botërorit të vitit të ardhshëm: në ‘MetLife Stadium’ do të përshtatet modeli i Super Bowl-it të NFL-së, me një spektakël madhështor gjatë pushimit të ndeshjes. Me një ndryshim të vogël: kreu i organizatës botërore të futbollit ka deklaruar se një "listë artistësh" do të performojë, pavarësisht nga pauza tradicionale 15-minutëshe e futbollit.
Tashmë është zyrtare. "Show-i i pushimit" do të ndriçojë edhe finalen e Kupës së Botës verën e ardhshme. Po kush mund të ftohet për të marrë pjesë në këtë spektakël historik, i pari i këtij lloji në skenën globale të futbollit?
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ende nuk e ka zbuluar: "Mund të konfirmoj shfaqjen e parë të pushimit në një finale të Kupës së Botës FIFA në New York-New Jersey. Ky do të jetë një moment historik për Kupën e Botës dhe një spektakël i denjë për ngjarjen më të madhe sportive në botë."
Në duar të sigurta. Megjithatë, Infantino nuk ka shpjeguar se si kjo "listë artistësh" do të ndikojë në kohën e lojës dhe pauzën tradicionale 15-minutëshe për ekipet – ndërkohë që pushimi në Super Bowl zgjat rreth 20 minuta. Presidenti i FIFA-s ka bërë të ditur se do të punojë së bashku me anëtarët kryesorë të Coldplay për të finalizuar listën e këngëtarëve që do të performojnë në spektakël, duke konfirmuar gjithashtu plane të tjera për ta vendosur Kupën e Botës në qendër të vëmendjes në Shtetet e Bashkuara.
"Kemi diskutuar gjithashtu se si FIFA do të marrë në zotërim Times Square gjatë fundjavës së finales së Kupës së Botës FIFA 2026, gjatë ndeshjes për vendin e tretë dhe finales. Këto do të jenë dy ndeshje spektakolare, me disa nga lojtarët më të mirë në botë, dhe çfarë mënyre më të mirë për t’i festuar sesa në legjendarin Times Square të New York City-t. Dua gjithashtu të falënderoj Chris Martin dhe Phil Harvey të Coldplay, të cilët do të punojnë me ne në FIFA për të finalizuar listën e artistëve që do të performojnë gjatë shfaqjes së pushimit, si dhe në Times Square", përfundoi ai.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: