Tirana nuk po gjen rrugëzgjidhje për të dalë nga kriza e rezultateve, që është përfshirë prej shumë javësh. Bardheblutë dolën pa pikë edhe në derbin e kryeqytetit përballë Dinamos, takim ky i luajtur në ‘Elbasan Arena’ dhe i mbyllur me rezultatin 1-4.
Edhe pse skuadra e Bledi Shkëmbit shënoi e para me Jarmouni, me 11-metërsh, pas një prekjeje të topit me dorë nga Aliji, Dinamo Reagoi shumë shpejt duke barazuar vetëm pas dy minutash lojë me Zabërgjën, që në fakt detyron Metën të shënoi autogol.
Pjesa e parë u mbyll në baraspeshë 1-1, por e dyta foli për blutë, që realizuan golin e përmbysjes me Bregun në të 62-tën, për të ardhur më pas te finalizimi i Lorran, për rezultatin 1-3.
Sapo loja nis nga qendra, vjen edhe goli i katërt për ekipin e Ilir Dajës, me Zabergjën që gjen Mandelën në zonë, i cili me kokë nuk fal: 1-4.
Me këtë humbje Tirana mbetet e parafundit me 26 pikë, aq sa ka grumbulluar edhe Skënderbeu që mbyll tabelën e klasifikimit.
Ndërkohë Egnatia nuk arrin ta përurojë me fitore sistemin e ndriçimit në stadiumin e saj, ku barazoi 1-1 me Teutën. Të dy golat e kësaj ndeshjeje u shënuan në pjesën e parë: fillimisht realizoi Ujka për vendësit në minutën e 24-t, por vetëm katër minuta më vonë ktheu baraspeshën në rezultat Kruja. Egnatia mbetet në krye të klasifikimit me 49 pikë, e ndjekur nga Dinamo me 2 pikë më pak.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: