Formati i ri i Ligës së Kampionëve do të ketë çifte të paracaktuara për fazën e 1/8-ve, çerekfinalet dhe gjysmëfinalet.
Tetë skuadrat më të mira në fazën e ligës presin fituesit e play-offit pa pasur dhe avantazhe sado të vogla, si për shembull ndeshjen e kthimit në shtëpinë e atyre që janë renditur më mirë në fazën e grumbullimit të pikëve.
Gjithçka do të mësohet sot në mesditë (12:00) në Nion kur goglat të rrotullohen dhe të përcaktojnë rrugëtimin e 16 skuadrave të mbetura në garë deri në finalen e madhe.
Për disa skuadra rruga mund të jetë më e lehtë. Për të tjera do të jetë më e ndërlikuar. Por me siguri që në fazën e 1/8 e finaleve mund të ketë përballje gjigantësh.
E kur flasim për shortin dhe parashikimet e tij, “bomba” në këtë fazë mund të jetë një derbi i Madridit.
Reali i Madridit, pasi siguroi vendin në 1/8, tashmë i di dy rivalët e mundshëm me të cilët mund të përballet në 1/8 e finaleve. Ato janë Atletiko e Madridit ose Bajer Leverkusen (Gjermani).
Pikërisht, në Madrid, në pjesën e bardhë të tij duan Atletikon në 1/8. Pavarësisht se “colchoneros” janë një skuadër që mund t’i hapin shumë punë skuadrës së Ançelotit, Mbape me shokë duan pikërisht Atletikon përballë.
“Dua Atletikon, dua t’i eliminoj” ishte deklarata e francezit pas tregolëshit kundër Mançester Sitit të mërkurën në mbrëmje. Barcelona nga ana saj është në ankth, nëse përballë do të ketë Benfikën ose Paris SG-në. Të dy janë rivalë të njohur për blaugranat. Me Benfikën luajtën në fazën me grumbullim pikësh në një fitore të paharrueshme në Lisbonë 4-5 me një gol në minutat shtesë nga Rafinja që i preu biletën për mes tetë të parave. Sigurisht që në Barcelonë do të ishin të kënaqur me Benfikën. Sepse nga ana tjetër është Paris GSja e ish-it, Luis Enrike.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: