Gjykata e Arbitrazhit për Sport (CAS) vendosi më datë 17 qershor 2024 në favor të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke përmbysur vendimet e marra gjatë Asamblesë së Jashtëzakonshme të Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë (KOKSH) të mbajtur më 10 janar 2021.
CAS shpalli të pavlefshme vendimet e marra në Asamblenë e Jashtëzakonshme të KOKSH-it, e cila kishte miratuar statutin e ri. Kjo përfshin ndryshimet në statutin e KOKSH-it, shkarkimin e Presidentit dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të komisionit të verifikimit.
CAS konstatoi se KOKSH-i nuk njoftoi siç duhet FSHF-në për asamblenë dhe lejoi pjesëmarrjen dhe votimin e personave që nuk ishin anëtarë. Këto veprime shkelën procedurat e përcaktuara dhe të drejtat e FSHF-së si federatë anëtare.
Duke përmbysur vendimet e asamblesë, CAS vendosi në vend të drejtat e FSHF-së për të marrë pjesë dhe për t’u njoftuar rregullisht për asambletë e KOKSH-it, duke siguruar përfaqësim dhe vendimmarrje të drejtë.
Në mënyrë krejtësisht të pakuptimtë dhe jashtë çdo logjike juridike, KOKSH, i cili vetë kërkoi që çështja të gjykohej jashtë Shqipërisë, sot nuk e njeh më vendimin e CAS-it.
KOKSH-i refuzon hapur t’u bindet rregullave ndërkombëtare, duke krijuar një precedent të rrezikshëm dhe duke shkelur Konventën e Nju Jorkut mbi njohjen dhe zbatimin e vendimeve arbitrare.
Kjo nuk është thjesht një mosmarrëveshje sportive. Kjo është një formë e pastër dhune institucionale, një sulm i drejtpërdrejtë ndaj ligjit ndërkombëtar dhe parimeve të drejtësisë!
Ky qëndrim na kthen pas në kohën e errët të komunizmit, kur Shqipëria ishte një ishull i izoluar që nuk njihte asnjë vendim ndërkombëtar. Atëherë, shteti nuk i zbatonte ligjet e botës – dhe sot, për fatin tonë të keq historia po përsëritet.
Federata Shqiptare e Futbollit nuk do të heshtë dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë për të vendosur drejtësinë në vend. U bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve ndërkombëtare, FIFA-s, UEFA-s dhe Gjykatave Evropiane të Drejtësisë që të reagojnë menjëherë dhe të mbrojnë rendin sportiv nga shkatërrimi i qëllimshëm që po ndodh në Shqipëri.
Sporti shqiptar nuk mund të mbahet peng i një drejtësie të kapur dhe i një shteti që refuzon ligjin ndërkombëtar. Shqiptarët meritojnë të jenë pjesë e botës, jo të izolohen prej saj.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: