Barcelona dhe Pau Cubarsí do të zgjasin këtë të enjte bashkëpunimin e tyre deri në vitin 2029. Mbrojtësi i ri do të shkojë në zyrat e ‘Camp Nou’ pas stërvitjes në Ciudad Deportiva Joan Gamper për të firmosur kontratën e tij të parë si futbollist profesionist, pasi më 22 janar ka mbushur 18 vjeç.
Zgjatja e kontratës së Cubarsí-t është pjesë e strategjisë së mbrojtjes së talenteve të së ardhmes të udhëhequr nga Deco. Në javët e fundit, kanë rinovuar kontratat e tyre edhe Ronald Araujo, Pedri dhe Gavi, duke siguruar boshtin kryesor të ekipit për vitet e ardhshme.
Klauzolë prej 500 milionë eurosh
Më 9 maj 2024, drejtuesit sportivë të Barcelonës vendosën të blindonin mbrojtësin e ri me një kontratë deri në 2027 dhe me rritjen e klauzolës së largimit në 500 milionë euro, duke u siguruar që asnjë klub europian të mos përpiqej ta transferonte. Para kësaj, klauzola e tij e largimit ishte vetëm 10 milionë euro.
Një garanci për Hansi Flick
Pavarësisht moshës së tij të re, Cubarsí është shndërruar në një garanci për trajnerin Hansi Flick. Ai ka luajtur në çdo ndeshje të këtij sezoni, duke qenë titullar në shumicën e tyre dhe vetëm pesë herë rezervë – ndaj Villarreal, Leganés dhe Sevilla në La Liga, ndaj Barbastro-s në Kupën e Mbretit dhe ndaj Atalanta-s në Champions League.
Edhe në ndeshjet ku ka filluar nga stoli, ai ka hyrë në pjesën e dytë, siç ndodhi në sfidën e fundit kundër Sevilla-s, ku zëvendësoi Araujo-n, i cili u dëmtua.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: