Dy fitore në kampionat, të dyja jo plotësisht bindëse dhe nën shenjën e Kolo Muani, nuk mjaftojnë që Juventusi dhe Thiago Motta të ndihen përfundimisht jashtë krizës së mediokritetit dhe të hidhen kokulur drejt momentit vendimtar të sezonit.
Trioja e ndeshjeve që nis nesër në ‘Allianz Stadium’ me play-off-in e Champions League kundër PSV-së do të thotë shumë për sezonin e bardhezinjve dhe për ambiciet e tyre deri në fund të sezonit.
Kalendari nuk fal: PSV në shtëpi, derbi i Italisë kundër Interit (sërish në fushën e Juventusit) dhe më pas transferta në Eindhoven për të siguruar një vend mes 16 skuadrave më të mira të Evropës. E gjithë kjo brenda një jave ose pak më shumë, me mungesa në mbrojtje dhe vetëm një siguri: këtu bëhet historia ose dështimi është i pashmangshëm.
Pa hapa falsë!
Në lojë janë paratë e Champions-it aktual (11 milionë euro, të cilat janë jetike për kualifikimin) dhe asaj që do të ndodhë, pasi Lazio dhe Fiorentina nuk presin, ndërsa Milani duket se ka futur një marsh më të lartë. Për ta përfunduar sezonin në vendin e katërt (ose të pestë, nëse Italia siguron pesë vende në Champions vitin tjetër), Juventusit do t'i duhet të tregojë një version të vetes që ende nuk e kemi parë.
Juventus me mungesa, por me një objektiv të qartë
PSV u mposht lehtësisht në fillim të sezonit (3-1 më 17 shtator), por këtë herë Juve nuk ka luksin të bëjë gabime. Mbrojtja do të vuajë mungesën e Kalulu dhe Cambiaso-s (i cili shpreson të rikuperohet për Interin), kështu që Veiga do të luajë krah Gattit, ndërsa Weah do të pozicionohet në të djathtë dhe Savona në të majtë.
Formacioni i mundshëm:
Mesfusha mund të pësojë ndryshime: Koopmeiners dhe McKennie, të dy zhgënjyes, mund t'i lënë vendin Thuram dhe Douglas Luiz.
Sulmi nuk do të ndryshojë: Nico Gonzalez në njërin krah, Yildiz në tjetrin dhe Kolo Muani si qendërsulmues.
Kolo Muani – Shpëtimtari i Juventusit?
Pavarësisht dy fitoreve të fundit (ndaj Empolit dhe Comos), Juventusi aktual ka vetëm një pikë referimi të qartë: Kolo Muani, me pesë gola në tri ndeshje, që jo vetëm finalizon, por edhe krijon raste nga hiçi, si ndaj Como-s.
Nëse përdorimi i njëkohshëm i Muani dhe Vlahovic deri tani ka qenë vetëm një ide, Thiago Motta duhet të fillojë të lërë gjurmën e tij. Me fjalë të tjera, ai duhet të rikthejë – ose të krijojë për herë të parë tek Juventusi – atë rrjedhshmëri loje që bëri të madhe Bologna-n e tij, por që në Torino është parë vetëm në mënyrë sporadike.
PSV – kundërshtar i lehtë apo kurth?
Ndërkohë që holandezët nuk janë as shumë të rrezikshëm dhe as në një formë të shkëlqyer, kjo mund të jetë ose një mundësi e artë për Juventusin, ose një kurth i madh ku duhet shmangur çdo hap fals.
Derbi me Interin do të jetë një tjetër histori. Por, për atë sfidë ka ende kohë. Më e rëndësishmja tani është të fitohet ndaj PSV-së dhe të ruhet morali i lartë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: