E kualifikuar surprizë në Ligën e Kampionëve dhe aktualisht në vendin e 13-të në renditje përpara javës së tetë dhe të fundit të fazës së kampionatit të Championsit, Stade Brest pret këtë të mërkurë Real Madridin, me fillimin e ndeshjes në orën 21:00.
Edhe pse lojtarët e Eric Roy ndoshta e dinë përmendësh formacionin titullar të ‘Los Blancos’, e njëjta gjë nuk vlen për madrilenët. Për shembull, portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois (32 vjeç, 5 paraqitje në Ligën e Kampionëve këtë sezon), mund të përmendë vetëm një emër nga Brest, atë të portierit Marco Bizot (33 vjeç, 7 paraqitje në Ligën e Kampionëve këtë sezon).
"Me emër njihja vetëm portierin, Bizot, sepse ai ka luajtur në Belgjikë (te Genk)", pranoi dje në konferencë për shtypin gardiani belg. "Brest zhvilloi një kampionat të madh sezonin e kaluar, kemi parë ndeshjet e tyre dhe trajneri na ka bërë një analizë të detajuar. T’i shohësh ata pothuajse mes tetë më të mirëve është diçka e jashtëzakonshme. Dimë që luajnë shumë mirë dhe se duhet të japim maksimumin fizikisht që në minutat e para për të pasur një shans për të fituar. Kam parë ndeshjet e tyre kundër Leverkusenit (1-1) dhe Barcelonës (0-3), është një ekip që nuk e komplikon shumë lojën, bazohen shumë te numri i tyre 9 (Ludovic Ajorque)."
Në fund, Courtois u bëri thirrje shokëve të skuadrës të mos e nënvlerësojnë këtë sfidë, edhe pse Real Madridi nuk po kalon momentin më të mirë në renditje.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: