Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, ka konfirmuar se klubi anglez ka zgjatur me një vit kontratën e Harry Maguire. Mbrojtësi 31-vjeçar anglez, i cili u transferua nga Leicester në “Old Trafford” në vitin 2019, do të përfundonte marrëveshjen me “Djajtë e Kuq” verën e ardhshme, por tani kontrata e tij do të zgjasë deri më 30 qershor 2026.
Maguire ka regjistruar 222 paraqitje, ka shënuar 12 gola dhe ka fituar dy trofe të rëndësishëm me “Djajtë e Kuq”: Carabao Cup 2023 dhe Emirates FA Cup 2024.
Konfirmimi zyrtar
Harry deri tani ka luajtur shtatë ndeshje nën drejtimin e Amorim dhe aftësia e tij për të luajtur në një mbrojtje me tre lojtarë e ka ndihmuar të spikasë, veçanërisht në fitoren e fundit 2-1 ndaj Manchester City-t në ‘Etihad Stadium’.
Gjatë një konference për shtyp në prag të sfidës së Premier League kundër Liverpool-it të dielën, trajneri tha:
"Harry Maguire është gati për të aktivizuar opsionin tonë. Kam biseduar me të këtë mëngjes dhe i thashë se duhet të përmirësohet në fushë, sepse kemi shumë nevojë për të," tha Amorim.
Ai shtoi:
“Gjithashtu, duhet të përmirësohet si lider. Të gjithë e dimë situatën në të cilën ishte këtu, por na duhet shumë në këtë moment. Prandaj, ne do ta aktivizojmë, me kënaqësi, opsionin për rinovim për të. A është një lojtar kyç? Po të shohim ekipin tonë, na duhen liderë në fushë. Ai është një lider, por duhet të përmirësojë këtë pjesë, duhet të përmirësojë lojën e tij, dhe jemi të lumtur që do të vazhdojmë bashkë."
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: