'Çmenduri' në Katar: Irani mposht Uellsin me golat në minutat 98 dhe 101!

'Çmenduri' në Katar: Irani mposht Uellsin me golat në minutat 98 dhe 101!

13:12, 25/11/2022

Në ndeshjen e parë të xhiros së dytë të Kupës së Botës në Katar, futbollistët e Iranit fituan ndaj Uellsit me rezultat 2-0 falë golave ​​të shënuar në minutat e 99-të dhe të 101-të.

Pas një fillimi shumë të shpejtë të lojës, shansi i parë u regjistrua në minutën e 12-të, kur Moore gjuajti pas një krosimi nga krahu i djathtë, por portieri i Iranit e shpëtoi goditjen e tij dhe pesë minuta më vonë Irani shënoi gol për të kaluar në avantazh pas një aksioni të madh, por u anulua për shkak të pozicionit jashtë loje.

Deri në fund të pjesës së parë nuk pati raste specifike dhe pjesa e parë përfundoi pa gola.

Në fillim të pjesës së dytë, Irani pati një rast të mirë me Azmoun, por në një situatë ballë për ballë me portierin, ai goditi shtyllën dhe në vazhdim të aksionit, shoku i tij i skuadrës Ali Gholizadeh do të gjuante nga distanca, por shtylla shpëtoi edhe një herë Uellsin.

Në vazhdim të atij aksioni, topi përfundoi në këmbët e Azmoun, por gjuajtja e tij u prit nga portieri i Uellsit i shtrirë në tokë.

Irani vazhdoi të luajë pak më mirë, kështu që ata patën një tjetër rast në minutën e 73-të kur gjuajtja e Ezatolahi u ndal nga portieri Hennessey.

Davies pati një rast të mirë për Uellsin në minutën e 84-të, por gjuajtja e tij nga distanca kaloi mbi portë dhe në sulmin e radhës, portieri i Uellsit Hennessey mori  karton të kuq direkt për një faull jashtë zonës së rreptësisë.

Arbitri fillimisht tregoi kartonin e verdhë, por pas reagimit nga dhoma e VAR-it, ka shkuar për të parë sërish situatën dhe ka parë gabimin e tij dhe i ka treguar rrugën për në dhomën e zhveshjes portierit të Uellsit.

Në minutën e 88-të, Irani mund të kishte kaluar në avantazh të merituar, por Torabi goditi jashtë portës. Deri në fund të ndeshjes dukej se nuk do të kishte gola, por në minutën e 98-të u shënua goli i avantazhit.

Çeshmi mori topin dhe më pas nga rreth 20-25 metra dërgoi topin në rrjetë duke shpërthyer në festë tifozët e Iranit, të cilët ishin të shumtë në stadium. Kur u duk se ndeshja u mbyll, pasoi një tjetër gol në minutën e 101-të.

Rizaeian doli i vetëm përballë portierit të Uellsit, më pas e goditi me mjeshtëri dhe vulosi fitoren për skuadrën e tij.

Irani arriti kështu fitoren e parë dhe pikët e para në Grupin B, dhe tani ata kanë  shanse reale për të luftuar për fazën eliminatore, ndërsa Uellsi mbeti në një pikë që fitoi kundër SHBA-së. Në ndeshjen e dytë të këtij grupi nga ora 20:00 takohen Anglia dhe SHBA.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco