Marotta beson tek Interi: S’e kemi humbur ende ‘luftën’

Marotta beson tek Interi: S’e kemi humbur ende ‘luftën’

17:56, 28/04/2022

Humbja 2-1 në transfertën ndaj Bolognës, ka komplikuar rrugën drejt titullit për Interin, që tashmë nuk e ka më fatin në dorën e tij, por duhet të shpresojë në hapa fals nga ana e Milanit.

Duke folur për mediat italiane, administratori zikaltër Giuseppe Marotta deklaroi se skuadra është e nervozuar për gabimin, megjithatë u shpreh optimist që përmbysja mund të vijë në katër javët e fundit të sezonit.

“Si njeri i sportit buzëqesh, pasi kemi humbur një betejë, por jo luftën. Kanë mbetur edhe 4 javë nga fundi dhe tani ka ikur koha kur skuadrat pa pretendime dorëzoheshin që në fillim. Sezonin e kaluar kemi fituar disa javë para fundit, ndërsa këtë herë ka më shumë rivalitet, megjithatë jam optimist për katër javët që kanë mbetur”, u shpreh Marotta.

Simone Inzaghi ka fituar Superkupën e Italisë dhe tani është në garë për Kupën e kampionatin, megjithatë edhe nëse dështon në të dyja, e ardhmja e tij në pankinën zikaltër nuk është aspak në dyshim.

“Nga sezoni i kaluar ndodhën shumë ndryshime dhe humbëm tre nga titullarët e padiskutueshëm, por donim një trajner të ri e fitues si Inzaghi. Ai i ka përmbushur më së miri pritshmëritë tona dhe për më tepër, ka ende shumë mundësi për t’u përmirësuar.

Kur të jetë në moshën e Contes, Allegrit apo Ancelottit, do të jetë padyshim nga më të mirët në botë. Jemi të kënaqur me punën e tij dhe ju siguroj që do jetë me ne edhe sezonin e ardhshëm, pavarësisht rezultateve në kampionat e kupë”, u shpreh Marotta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco