Lorik Cana parashikon rezultatin e Shqipëri-Poloni

Lorik Cana parashikon rezultatin e Shqipëri-Poloni

17:22, 12/10/2021

Lorik Cana mendon se ndeshja mes Shqipërisë dhe Polonisë do të shohë një sfidë të balancuar mes dy ekipeve. 

Ish-kapiteni kuqezi pranon se kjo ndeshje mund të përcaktojë fatin e dy skuadrave, ndërsa për “Sportowefakty” thekson avantazhet që ka secila për përballjen në “Air Albania”.

“Kjo ndeshje është shumë entuziazmuese për shqiptarët, pasi ne rrallëherë kemi fatin në duart tona në këtë pikë të eliminatoreve për një aktivitet madhor. Nëse fitojmë me Poloninë do të jemi shumë afër play-off dhe do të na mjaftojë të fitojmë ndeshjen e fundit me Andorrën.

Shqipëria ka qenë rrallëherë në një situatë kaq të favorshme. Kështu ndodhi në kualifikueset e Botërorit 2014, edhe pse në fund nuk na eci si deshëm. Kështu ishte kur shkuam në Euro 2016. Por ne kemi një avantazh ndaj jush dhe quhet trysni.

Sido që të jetë, ishte dhe është Polonia favorite për vendin e dytë. Ndaj në parim, e keni ju më shumë se ne këtë trysni. Kjo mund të jetë në avantazhin tonë, por nuk ka asgjë për të fshehur, pasi emocionet dhe shpresat do të jenë shumë të larta në Shqipëri.

Polonia ka qenë në kulmin e saj në Euro 2016, më vonë për shumë lojtarë pat rënie. Ndaj lojtarë si Glik dhe Levandovski do të bëjnë gjithçka që të kalojnë turin pasi e dinë se ky mund të jetë aktiviteti i fundit ndërkombëtar për ta.

Pika e dytë që mund të ndihmojë Poloninë është se luan për dy rezultate, pasi edhe barazimi i shkon për shtat meqë mendohet se mund të fitojë të dy ndeshjet e tjera.

Broja është pjesërisht e tashmja, por sidomos e ardhmja e kombëtare shqiptare. Ai është vetëm 20 vjeç, një lojtar i Çelsit i huazuar te Sauthemptoni. Ai ka disa aftësi dhe shpesh trajneri e përdor si xhol. Para asaj ndeshje me Hungarinë kishte diskutime se sa minuta do të luante Broja dhe trajneri priti dhe e aktivizoi kur Hungaria u lodh. Ishte një vendim i goditur, siç e tregoi rrjedha e ndeshjes. Broja do t’i japë këtij ekipi shumë lumturi, do të jetë për shumë vite pjesë e përfaqësueses.

Reja luan një rol të madh dhe ai e di që kjo është eksperienca e tij e fundit në karrierën e tij, ai është 76 vjeçar dhe padyshim mundësia për të drejtuar në një Botëror e tërheq. Nuk u zgjidh rastësisht për këtë detyrë, eksperienca ishte vendimtare por sidomos se është përfaqësues i futbollit italian dhe praktikisht e gjithë mbrojtja jonë, bashkë me portierët, është në Itali.

Parashikimi? Si një tifoz do të them 2-1 për Shqipërinë. Nuk kemi luajtur asnjëherë në fazën finale të një Botërori dhe një fitore ndaj Polonisë do të zgjaste ëndrrën tonë që më në fund do të bëhej e mundur. Ndaj kemi shumë motivim dhe vendosmëri”, theksoi mes të tjerave Cana në intervistën e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco