‘Ëndërr e bërë realitet’/Esmeralda Franja rrëfen eksperiencën e saj si futbolliste

‘Ëndërr e bërë realitet’/Esmeralda Franja rrëfen eksperiencën e saj si futbolliste

17:04, 04/07/2021

Esmeralda Franja, është një tjetër emër shqiptar i futbollit të femrave në vend, “made in Shkodra” që ka spikatur ndër vite me Vllazninë dhe Kombëtaren shqiptare.

E lindur dhe rritur në qytetin verior, ku futbolli është i pranishëm në thuajse çdo sofër shkodrane, Esmeralda nuk mund t’i mohonte vetes të qenit pjesë e këtij sporti, duke mos qenë thjesht një tifoze, por më tepër.

Në shtëpinë e saj, ndeshjet e kampionateve të njohura ishin ato që shfaqeshin më shumë në televizor, ndërsa që e vogël, teksa i shihte, mundohej të imitonte disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit, duke i kopjuar në lëvizje, derisa e kuptoi që nën këmbët e saj “diçka bluhej”.

Mënyra se si ajo e driblonte topin, se si gjuante, se si luante, kishin njëfarë ndryshimi nga loja që bënin moshatarët e saj.

“Më kujtohet që kur isha në shkollën 9-vjeçare, mësuesja e fizkulturës erdhi në klasën tonë dhe pyeti për vajzat që luanin futboll. Menjëherë klasa u drejtua nga unë dhe ajo më pyeti nëse kisha dëshirë të luaja futboll. Sigurisht që kjo ishte ëndrra ime, të luaja në një ekip të mirëfilltë futbolli”, tha ajo.

Esmeralda  e ndjente veten të privilegjuar dhe ishte e lumtur për këtë sepse nuk do luante vetëm me djem, por do ishte pjesë e një skuadre me vajza.

Gjithashtu ajo nuk nguroi të tregonte dhe për mbështetjen që i kanë dhënë prindërit e saj, duke treguar për lidhjen me babain e saj, por dhe mbështetjen që i ka dhënë dhe nëna e saj.

“Mami ka qenë personi që më ka mbështetur më shumë në fillimet e mia, pasi kur ka qenë e vogël ka dëshiruar të bëhej futbolliste, por nuk e bëri dot realitet ëndrrën e saj, për shkak të kohës. Kur i kam shprehur dëshirën për të qenë pjesë e kësaj bote, më ka mbështetur, ndërsa babi në fillim nuk ka qenë shumë dakord. Sot, i kam tifozët e mi më të mëdhenj. Vijnë edhe më ndjekin kur e kanë mundësinë”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco