Janë zhvilluar dy ndeshjet e para çerekfinale në garën më të madhe amerikano-jugore për Kombëtare, Copa America.

Kësisoj pas dy takimeve të zhvilluara, tanimë janë mësuar edhe dy skuadrat e para gjysmëfinaliste e që janë Brazili dhe Peru.

Ndeshja e parë çerekfinale është zhvilluar mes Kombëtares së Perusë dhe asaj të Paraguait, ku ka qenë një spektakël i madh.

Koha e rregullt përfundoi me rezultat të barabartë 3-3, me dy skuadrat që patën epërsinë, derisa në fund fituesi i desh të përcaktohej pas ekzekutimit të penalltive.

Peruanët ishin më të saktë nga pika e bardhë dhe pas 12 penalltive të ekzekutuara, kaluan në gjysmëfinale me katër penallti të shënuar kundrejt tri të paraguaianëve.

Ndeshje spektakolare është zhvilluar edhe në Estadio Olimpico Nilton Santos të Rio de Janeiros, ku Brazili me shumë mund e ka eliminuar Kilin me rezultat 1-0.

Pasi pjesa e parë përfundoi me rezultat të bardhë 0-0, në pjesën e dytë brazilianët gjetën golin e fitores.

 

Ishte minuta e 46-të, kur Lucas Paqueta realizoi një gol të bukur për t’i dhënë epërsinë brazilianëve, por që në fund doli të jetë goli i fitores.

Nga minuta e 48-të, Brazili mbeti me një lojtar më pak pasi sulmuesi Gabriel Jesus u ndëshkua direkt me karton të kuq.

Kësisoj në gjysmëfinale Brazili do të përballet me Perunë pas tri ditëve.