U kthye si hero në Hungari, flet trajneri rival i Shqipërisë: Në Itali më kërkuan para që të drejtoja ekip

U kthye si hero në Hungari, flet trajneri rival i Shqipërisë: Në Itali më kërkuan para që të drejtoja ekip

18:39, 24/06/2021

Pavarësisht se nuk ia dolën të kualifikoheshin në “grupin e ferrit”, ekipi surprizë i kësaj “EURO 2020” mund të quhet padiskutim Hungaria e Marco Rossit. Tekniku italian kishte ndërtuar një skuadër mjaft të mirë, duke u përballur në mënyrën më të mirë me kombëtare të mëdha si Portugalia, Franca dhe Gjermania.

 “Nëse do të kisha në dispozicion Szoboszlai më siguri do të kishim patur një bagazh teknik më të ndryshëm në mes të fushës, por në futboll nuk ka kurrë nëse. Ajo që mund të themi është se unë dhe i gjithë stafi do të kishim dashur një futboll më agresiv dhe ofensiv. Por kur gjen përballë superskuadra si i përballuam ne në Europian si Portugalia, Gjermania e Franca, atëherë duhet të dish cilat janë mundësitë e tua dhe përshtatesh. Në të tre ndeshjet orientimi taktik ka qenë i njëjtë. Kemi keqardhje sepse ndonjëherë jemi mbrojtur duke luajtur shumë të tërhequr”, shpjegoi Rossi për mediat italiane, të cilat ishin të interesuara të dinin nëse ai mendonte tashmë kthimin në Itali për të provuar shansin e tij atje.

Por Rossi, rival i Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit, as që ka ndër mend që ta bëjë një gjë të tillë. Ai ka konfirmuar se në vitet kur ka qenë i papunë, i kishin kërkuar para që t’i gjenin një vend në një skuadër.

“Isha i papunë. Ishte një periudhë kur isha pa skuadër, nga janari 2011, deri në shkurtin 2012. Disa ndërmjetës më ofruan që të punoja në këmbim të një pagese. Nuk kam fituar kurrë shifra të jashtëzakonshme, pasi në futboll nuk t’i dhuron kush paratë, ndaj nuk mund ti lejoja vetes luksin që të paguaja për të qenë trajner. Ndaj po mendoja për një punë alternative, kur u shfaq ai udhëtim në Budapest dhe lindi kjo aventurë. Jam shumë mirë në Hungari, përtej faktit që drejtoj kombëtaren, që ka për mua një vlerë të ndryshme. Në këtë vend ndjehem me të vërtetë i vlerësuar nga thuajse gjithë tifozeria. Këtë nuk e kam ndeshur kurrë më parë”, tha Rossi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco