Vllaznia merr kreun sërish, Tirana befason Laçin

Vllaznia merr kreun sërish, Tirana befason Laçin

15:07, 21/03/2021

Ashtu siç e kishin premtuar, shkodranët e Vllaznisë ia dolën të rikthehen te fitorja në kampionat dhe e bënë këtë në një transfertë mjaft të vështirë si ajo ndaj Kastriotit në Kamëz.

Një gol i vlonjatit Ardit Hoxhaj në minutat shtesë bëri që kuqeblutë të marrin tre pikët në Kamëz dhe të rimarrin kreun e renditjes, të cilin e kishin dorëzuar fundjavën e kaluar.

Fitore mjaft e rëndësishme për shkodranët, që duke përfituar nga humbja e Laçit në shtëpi ndaj Tiranës, rikthehen në krye të renditjes pas vetëm një jave lëshimi dhe njëkohësisht marrin një avantazh të rëndësishëm psikologjik.

Bardheblutë e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe pas një kërcënimi me Toshevskin, i shkuan shumë pranë golit me anë të Torasës, por portieri Sherri grushtoi në mënyrë spektakolare, ndërsa më pas ishte Obanor që bllokoi goditjen e Halilit.

Goli i avantazhit ishte rrotull dhe erdhi në minutën e 24-t, kur pas një gabimi të Deliut në zonë, ishte mesfushori bardheblu Jurgen Çelhaka ai që përfitoi e gjuajti menjëherë, duke dërguar topin në rrjetën e portës së Sherrit.

Reagimi i kurbinasve ishte i vakët dhe aspak shqetësues për bardheblutë, por goli i barazimit erdhi në minuëtn e 40’ pas një këndoreje të ekzekutuar në mënyrë perfekte nga veterani i Laçit, Mentor Mazrekaj, që dërgoi topin drejt e në rrjetën e portës së Ilion Likës.

Pjesa e dytë zhvillohet gjithashtu me ritëm të lartë nga të dy skuadrat dhe pas disa mundësive të shpërdoruara nga Laçi, është mbrojtësi i majtë i bardhebluve, Marsel Ismailgeci, që mposht për herë të dytë Alen Sherrin, me një gjuajtje të hidhur me të majtën nga brenda zonës.

Laçi provon të rikthejë baraspeshën, por tentativat e kurbinasve ndalen nga Ilion Lika, që shlyen kështu gabimin në rastin e golit të parë të pësuar dhe u jep tre pikët bardhebluve, që tani janë shumë pranë zonës europiane të renditjes.

Mallakastriotët e nisën vrullshëm ndeshjen dhe kaluan në avantazh që në minutën e 14’ me anë të Edison Ndrecës. Pikërisht anësori mirditor ishte protagonist në pjesën e parë, pasi në sekondat e fundit të kohës së rregullt shënoi edhe golin e dytë për Bylisin.

Pushimi duket se u bëri mirë verilindorëve, që e nisën pjesën e dytë menjëherë në sulm dhe rihapën takimin në minutën e 53-të me golin e shënuar nga mbrojtësi Kurdiç, që ia doli të mposhtë portierin e Bylisit.

Megjithatë mallakastriotët ia dolën të ruajnë avantazhin deri në fund, duke marrë një tjetër 3-pikësh që ua sjell edhe më pranë mbijetesën, ndërsa Kukësi duket se dorëzohet nga gara për një vend në zonën europiane.

Merr një 3-pikësh shprese edhe Skënderbeu, që ia doli të triumfojë me rezultatin 1-2 në “Loni Papuçiu” të Fierit, përballë një rivali direkt për mbijetesën si Apolonia. Sadriu kaloi në avantazh korçarët në pjesën e parë, ndërsa vendasit barazuan me Mihanën në minutën e 60’.

Kur dukej se gjithçka po shkonte drejt barazimit, Skënderbeu fitoi një 11-metërsh, të cilin e shndërroi në gol Jorgo Meksi, duke u dhënë korçarëve një 3-pikësh të artë, që mban gjallë shpresat për mbijetesë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco