Eurodeputetët i japin goditje qeverisë Rama në Strasburg.
I ftuar në edicionin informative të lajmeve në Syri Tv, deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia deklaroi se mbledhja e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në Strasburg nxori në pah dështimet e qeverisë Rama përballë partnerëve europianë.
Spahia u shpreh se 35 amendamentet e paraqitura nga opozita morën mbështetje nga eurodeputetët dhe se diskutimet në këtë forum evidentuan shqetësime për korrupsionin, mungesën e transparencës, ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë dhe problematikat me zgjedhjet në Shqipëri.
Sipas deputetit të PD-së, mesazhi i dhënë në Strasburg ishte i qartë: procesi i integrimit europian nuk mund të mbështetet te propaganda e qeverisë, por te reforma reale, respektimi i institucioneve dhe zbatimi i standardeve demokratike.
Pjesë nga deklarata:
E në fakt, tashmë prej dy ditësh zhvillojmë mbledhjen e këtij Komiteti të Përbashkët të Stabilizim-Asociimit midis BE-së dhe Shqipërisë, i cili, ndër të tjera, mori në shqyrtim dhe madje hodhi në votim rezolutën për Shqipërinë.
Ajo çfarë ra në sy ishte mbështetja e jashtëzakonshme që morën amendamentet e përfaqësuesve të Partisë Demokratike, pra të grupit të deputetëve tanë, nga ana e eurodeputetëve, të cilët i mbështetën edhe me votë qëndrimet e opozitës në këtë komitet, të pasqyruara qartazi në 35 amendamentet e paraqitura nga ana jonë.
Mbështetja e eurodeputetëve ishte, në fakt, një dëshmi e qartë se integrimi europian i Shqipërisë mbështetet dhe duhet të mbështetet mbi reforma të vërteta dhe rezultate konkrete, dhe jo te propaganda tashmë e dalë boje e qeverisë shqiptare.
Për mendimin tim, ajo çfarë i karakterizoi punimet e këtij komiteti ishte pikërisht miratimi nga ana e eurodeputetëve, i cili ishte një mesazh i qartë se Europa nuk pranon më ligje vetëm në letër.
Sigurisht, u përmendën të gjitha problematikat me të cilat përballet sot Shqipëria, shkeljet e jashtëzakonshme që janë realizuar nga ana e qeverisë shqiptare, korrupsioni, prekja dhe dëmtimi i zonave të mbrojtura për afera korruptive.
U sulmuan me forcë qëndrimet shpeshherë edhe mashtruese të qeverisë shqiptare, çka ishte, në njëfarë mënyre, një risi e këtyre punimeve.
Ishte një situatë e cila tregoi më së miri fytyrën e vërtetë të një regjimi autokrat, i cili tashmë është shfaqur ashtu siç është në realitet: një qeverisje dhe një regjim i zhytur në krim e korrupsion.
Një regjim i cili ndryshe shprehet në takimet e ngushta ndërkombëtare dhe ndryshe vepron kur vjen momenti për të votuar dhe miratuar nisma të tilla, siç ishin në rastin konkret amendamentet e Partisë Demokratike.
Ato synonin, asgjë më shumë sesa, prekjen e disa problematikave të cilat janë më se evidente.
Kërkonim, për hir të së vërtetës, implementimin e atyre porosive dhe gjetjeve të cilat vetë Komisioni Europian, por edhe raporti i OSBE-ODIHR-it, kishin evidentuar në raportin e tyre për zgjedhjet.
Nga ana tjetër, amendamentet tona kërkonin implementimin e reformës zgjedhore, shmangien e ndërhyrjeve në sistemin gjyqësor dhe respektimin e pavarësisë së tij, zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, transparencën në procedurat legjislative, si dhe ngritjen e komisioneve hetimore, zhvillimin e interpelancave, seancave dëgjimore e të tjera.
Nëpërmjet këtyre amendamenteve kërkonim transparencë për përdorimin e fondeve IPARD 2, si dhe nevojën për të audituar siç duhet përdorimin e këtyre fondeve.
PD gjithashtu i kërkoi institucioneve, nëpërmjet këtyre amendamenteve, që të zbatohen rekomandimet e Komisionit Europian dhe të OSBE-ODIHR-it për përgatitjen dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si plaga kryesore dhe, le të themi, arsyeja e të gjitha problematikave madhore në Shqipëri.
Gjithashtu, një vëmendje të veçantë i kushtuam nevojës, të cilën e përcollëm edhe nëpërmjet amendamenteve tona, për garantimin e mospërdorimit të imunitetit parlamentar për t’iu shmangur drejtësisë, siç ka ndodhur në rastin e përdorimit të 72 kartonëve të mazhorancës për të mbrojtur korrupsionin e Belinda Ballukut dhe të Edi Ramës.
Gjithashtu, kemi kërkuar nëpërmjet këtyre amendamenteve edhe mbështetjen për gjykatat dhe prokurorinë, si me burime njerëzore, ashtu edhe financiare, rritjen e transparencës për kontrollin mbi konfliktin e interesit.
Të gjitha këto kanë qenë pjesë e atyre amendamenteve.
© SYRI.net