Ish-prokurori Ervin Karanxha deklaroi në emisionin Breaking se sistemi i drejtësisë po përballet me mungesë të prokurorëve me përvojë, duke theksuar se plotësimi i vakancave nuk mund të bëhet vetëm me magjistratë të rinj, por kërkon edhe praktikë profesionale dhe orientim nga kolegët me eksperiencë.
Ai tha se shoqata “Media dhe Drejtësi” ka ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit vendimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor për emërimin e pesë ish-anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit si gjyqtarë Apeli, duke u shprehur se procesi është zhvilluar pa veting dhe në kundërshtim me ligjin.
Karanxha foli edhe për kompetencat e Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke theksuar se prioritet i oficerëve duhet të jetë sigurimi i provave, ndërsa arrestimet duhet të kryhen vetëm pas një vlerësimi të kujdesshëm të rrezikut.
Sa i takon masave të sigurisë për personat e proceduar gjatë protestave, ai u shpreh se ato janë masa procedurale dhe jo dënime, ndërsa theksoi se çdo rast duhet të vlerësohet në mënyrë individuale, në bazë të provave dhe rrezikshmërisë konkrete.
© SYRI.net