Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një intervistë për Syri.net, ka kërkuar që GJKKO t’i drejtohet Departamentit të Drejtësisë në SHBA për të marrë dokumentet dhe sqarimet lidhur me kontratën GSIS–LSI.
Meta pretendon se këto prova janë të domosdoshme për garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe për të provuar pafajësinë e tij.
Duke folur për çështjet penale ndaj tij, Meta akuzoi prokurorinë dhe qeverinë e Edi Ramës për një proces të politizuar, ndërsa kërkoi transparencë të plotë mbi kontratat, pagesat dhe provat e administruara në dosje.
Ai deklaroi se drejtësia duhet të bazohet te faktet dhe provat, jo te dëshmitarët apo interpretimet politike.
Intervistë ekskluzive e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta dhënë për portalin Syri.net:
Pyetje: Z. Meta, dje ju bëtë publike kërkesën zyrtare për GJKKO për t’i dërguar direkt letërporosi Departamentit të Drejtësisë në SHBA për t’i dhënë përgjigje pyetjeve specifike lidhur me kontratën GSIS – LSI. Përse është e ngutshme kjo nga ju?
Meta: Kjo është urgjente për të garantuar së pari vetë gjykimin e kësaj çështjeje mbi provat materiale dhe ligjore, që për fat të keq prokurorët nuk kanë dashur t’i disponojnë edhe pse hetojnë prej 4 vitesh.
Ose në rastin më të keq mund të kenë evituar me dashje për të më pamundësuar mua provimin e pafajësisë time të plotë dhe të padiskutueshme.
A nuk u provua nga hetimi i lobimit, gjoja të paligjshëm sipas “Mother Jones”, prej 1 milion dollarësh me McKeon Group dhe greko-amerikanin mashtrues Fidetzis, se gjithçka kishte qenë një manipulim i rëndë mediatiko-ligjor në bazë të të cilit u justifikua edhe rrëmbim-arrestimi im në 21 tetor 2024.
Dhe çuditërisht vetëm dy javë pas zgjedhjeve në SHBA, ku McGonigalët humbën pushtetin, erdhi letërporosia se Ilir Meta dhe LSI nuk kanë lidhje për pagesa të paligjshme. Por kjo u mbajt e fshehtë nga akuza deri pas zgjedhjeve. Përse? Vetëm për t’i shërbyer Edi Ramës.
Po kështu, kujt i shërbente vendimi i gjykatës amerikane të paspecifikuar që për 2 vite GSIS të mos i jepte LSI dhe publikut të dhëna nga kontrata me LSI?
Sigurisht vetëm Edi Ramës për të justifikuar paraburgimin tim përmes pamundësimit për t’u mbrojtur duke disponuar provat ligjore që garantojnë pafajsinë time.
Ndaj gjykimi për këtë çështje nuk mund të realizohet pa u zbardhur të gjitha shërbimet, faturat dhe autorizimet për pagesa sipas kontratës së ligjshme të regjistruar në SHBA e Shqipëri.
Natyrisht edhe prokurorët, e sidomos gjykata, kanë të drejtë të shtojnë pyetjet e tyre drejtuar Departamentit të Drejtësisë.
Pra një gjykatë amerikane duhet të urdhërojë tani GSIS të dorëzojë gjithçka për llogari të gjykatës shqiptare sipas kontratës së ligjshme GSIS – LSI.
Përndryshe kjo çështje do të kthehet në një problem shumë të madh në besueshmërinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në fushën e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta.
I “mirëkuptoj” që nuk duan të hetojnë për McGonigalin këtu pasi do të shpërthente puseta dhe jemi në kulmin e vapës tani, por të keqpërdoren në mënyrë jotransparente SHBA-të për të mbajtur në paraburgim një lider politik, që nuk ka shkelur kurrë një ligj amerikan, është e papranueshme jo vetëm për mua, por edhe për shumë personalitete amerikane që i dinë kontributet e mia historike në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.
Sepse unë po kërkoj vetëm TRANSPARENCË dhe proces të rregullt ligjor. Pse të kenë kaq frike nga transparenca?
Pyetje: Po lidhur me akuzat e tjera?
Meta: Më duhet të përsëris se nuk ekziston asnjë kundravajtje administrative e faktuar nga akuza ndaj meje nga hetimet e bëra për 8 vite me radhë duke nisur që nga viti 1992 kur jam zgjedhur deputet.
Çështja CEZ-DIA nuk ekziston fare.
Dihet që pas vizitës së Charls McGonigal në zyrën e Kryeministrit Rama në shtator 2017, vetëm 2 muaj më pas u aktivizua një kallëzues i gatshëm për të regjistruar papritur një kallëzim për mua në fund të vitit 2017 kur unë isha President.
Por kjo çështje mbeti pezull se nga kërkimet që bëri McGonigali, në krye të DIA-s i doli një amerikane e cila ka bërë edhe një marrëveshje interesante me OSHEE në 3 dhjetor 2014, të cilën e kemi kërkuar zyrtarisht të na vihet në dispozicion nga GJKKO.
Çështja DIA është gati për gjykim që sot pasi është stërgjykuar 3 herë.
E gjithë akuza bazohet mbi mashtrime që vijnë në kundërshtim me faktet ligjore dhe deklaratat nën betim që ndodhen në dosje, përveç atyre që unë disponoj.
Për shembull, akuza i referohet gënjeshtrave të të ndjerit Dritan Prifti në tetor 2015, i cili vetë i referohet Elvis Matës dhe një gjoja interviste të dhënë nga ky, të cilën në dhjetor 2015 Elvis Mataj e ka mohuar para prokurorisë nën betim.
Por i ndjeri Prifti, kur ka dhënë këtë deklarim, nuk e ka ditur se Elvis Mataj në 16 prill 2014, në e-mail dërguar Avokatit austriak të Kastriot Ismailaj, i përmend vetëm Dritan Priftin nominalisht si Ministër i Ekonomisë, se i ishte premtuar ryshfet për lidhjen e kontratës CEZ-DIA që ndodhi fiks kur ai ishte Ministër i Ekonomisë.
Po kështu, në deklaratën e tij në tetor 2015, Dritan Prifti stërbetohet se Kastriot Ismailajn e ka takuar vetëm 2-3 herë në vitet ‘98-‘99 dhe kurrë më vonë.
Por në deklaratën e dhënë nën betim për këtë procedim penal shefi i Kabinetit të Priftit në 2010, dëshmon se e ka takuar Kastriot Ismailin në Vjenë për herë të parë, kur ai me Ministrin Prifti dhe Kastrioti me Hejsekun e CEZ-it ishin në të njëjtin hotel për shkak të mbledhjes së Sekretariatit të Energjisë në Vjenë.
Pra Prifti dhe Ismaili janë takuar vetëm pak ditë para 1 shtatorit kur është firmosur marrëveshja CEZ-DIA.
Dhe po kështu se ishin kthyer me të njëjtin avion nga Vjena në Tiranë.
Me dëshmitarë si i ndjeri dhe të tjerë me probleme më të rënda me ligjin dhe drejtësinë, akuza vetëm diskrediton veten e saj, pëveçse e rëndon veten me fshehjen e shumë provave duke dëmtuar rëndë edhe procesin e rregullt ligjor.
Pyetje: Po Edi Ramën pse e keni thirrur si dëshmitar?
Meta: Ai është dëshmitar kyç pasi për miratimin e ligjit për minierat, ka mbajtur një orë fjalim në Kuvend, duke theksuar rëndësinë epokale të miratimit të këtij ligji.
Pra ai duhet të deklarojë se e miratoi ligjin se shënonte ndryshim epokal apo se përfitonte vetëm një biznesmen i caktuar siç dedukton akuza?
Aq më tepër që ligjin e propozoi Ministri i tij dhe amendamentin po kështu deputetja e tij.
Pyetje: Po Taulant Ballën përse e keni thirrur dëshmitar?
Meta: Z. Balla është dëshmitar i rëndësishëm pasi ka qenë Kryetar i Komisionit Parlamentar për hetimin e CEZ-it dhe po kështu i ka bërë pyetje specifike kallëzuesit tim lidhur me çështjen CEZ – DIA në veçanti dhe ka marrë përgjigje krejt të tjera prej tij në atë kohë ku emri im nuk ekziston asgjëkundi.
Dua t’ju siguroj se ne nuk thërrasim asnjë dëshmitar për lojë politike.
Po kështu as kemi refuzuar çdo lloj dëshmitari, serioz apo me halle me drejtësinë që Prokurorët dëshirojnë të sjellin pasi çdo regjim ka “Brahushët” e vet, të cilët publicisti i mirënjohur Fatos Lubonja në romanin e tij “Ridënimi” i quan “Skoda e dëshmitarëve të gatshëm të regjimit”.
Se siç e ka thënë vetë “Brahushi” me sinqeritet, në fund të fundit bishti i qenit bisht qeni mbetet tërë jetën. Siç e vërteta mbetet e vërtetë tërë jetën. Drejtësia nuk bëhet me “bishta qeni” dhe deduksione, por me prova, fakte, vendime dhe dëshmitarë me integritet dhe koherencë.
© SYRI.net