Syri TV/ Dështon gjyqi në themel për Erion Veliaj, GJKKO pezullon afatet e paraburgimit

16:40, 10/06/2026

Ka dështuar sërish nisja e gjykimit në themel për Erion Veliajn, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe të pandehurit e tjerë që po gjykohen me procedurë të zakonshme. Shkak u bë mungesa e 4 avokatëve dy prej të cilëve të Ajola Xoxës, pasi ndodheshin në një proces tjetër, ndërsa kjo shërbeu që togat e zeza të miratonin kërkesën e SPAK për pezullimin e afateve të paraburgimit për të vetmin të arrestuar Erion Veliaj. Mbrojtja e këtij të fundit kundërshtoi qëndrimin e SPAK duke thënë se Veliaj nuk ka shërbyer asnjëherë si pengesë në gjykim, pasi i ka dhënë tagrat avokatit Plarent Ndreca, teksa gjyqtarja relatore Elsa Ulliri lexoi deklaratën e Veliajt se përse nuk paraqitet në gjyq duke insistuar që kafazi është masë denigruese.

Jashtë gjykatës avokati Plarent Ndreca zbuloi dy kërkesat që i adresoi trupës gjykuese, dhe që njëra prej tyre kishte të bënte me publicitetin gjyqësor, që ka të bëjë me moslejimin e regjistrimit dhe transmetimit të seancës nga mediat.

Ndreca paralajmëroi se sa i takon pezullimit të afateve të paraburgimit për të mbrojturin prej tij, do t'i drejtohet me ankime çdo hierarkie të gjykatave në vend dhe ndërkombëtare.

Seanca e radhës u caktua më 6 qershor ora 10:00 teksa kryebashkiaku akuzohet për të paktën 9 episode korrupsioni, pastrim parash, fshehje pasurie ose deklarim i rremë i saj dhe futje të sendeve të ndaluara në paraburgim dhe ndodhet në qeli prej 10 shkurtit të vitit të kaluar.

Dosja për të, bashkëshorten e tij dhe disa biznesmen e shoqëri u nda dhe po gjykohen me procedurë të zakonshme, ndërsa për 11 të tjerë përfshirë Elman Abulen dhe Klotilda Bushkën pranua gjykimi I shkurtuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco