‘Rama ik! Po e shet Shqipërinë copa-copa…’, Fushë-Kruja ngrihet në protestë

10:54, 10/06/2026

Burrat, gratë, të rinjtë e të rejat e Fushë-Krujës, madje edhe fëmijët, iu bashkuan këtë të martë protestave që kanë nisur në disa qytete të vendit kundër qeverisë. Tubimi u zhvillua në qendër të qytetit, ku qytetarët marshuan paqësisht në rrugët kryesore, duke shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj situatës ekonomike dhe sociale në vend.

Partia Demokratike Krujë e ka mbështetur protestën e sotme, duke iu bashkuar qytetarëve në këte marshim.

Protestuesit ngritën problematikat me të cilat, sipas tyre, përballen çdo ditë banorët e zonës dhe shqiptarët në tërësi.

Ata përmendën gjendjen e rrugëve, trafikun e rënduar, përmbytjet e shpeshta, emigrimin masiv të të rinjve, taksat e larta, pagat e ulëta dhe rastet e korrupsionit në qeverisje.

Qytetarët kërkuan në kor dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa nuk munguan as pankartat me mesazhe ironike dhe kritike ndaj qeverisë. Një prej tyre mbante mbishkrimin: “Bela 300 apartamente? Edhe Luzi 300 gropa!!!”, duke iu referuar çështjes së ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

“Kemi arsye me protestu, sepse ky njeri i hëngri kalamajtë. Kanë ikur të gjithë. Na u dogj shpirti për nipër e për mbesa, na u dogj shpirti për të dashurit tanë”, tha njëri prej protestuesve, duke u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen në protesta pavarësisht bindjeve politike.

Një tjetër tha: “Jemi mbledhur këtu sot pa frikë, pa drojë. Nga askush, as nga shteti, as nga Edi Rama e as nga qeveria e tij. Për çfarë protestojmë ne sot? Ne protestojmë për shpopullimin. Kaq vite kjo qeveri e ka shpopulluar Fushë-Krujën dhe gjithë Shqipërinë. Kjo qeveri do ta shesë Shqipërinë. Po e shet copa-copa. Po ua jep oligarkëve e investitorëve strategjikë. Ne jemi kundër këtyre vendimeve dhe themi njëzëri: Rama ik!”

Një pjesë e protestuesve u nisën drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës së 10-të të organizuar në kryeqytet, duke theksuar se do të vazhdojnë të ngrejnë zërin për kërkesat e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco