Gjykata lë në burg kamarierin e Armand Shakajt, dyshohet se ndihmoi në pengmarrjen e Eglant Koçit

Gjykata lë në burg kamarierin e Armand Shakajt, dyshohet se ndihmoi në pengmarrjen e Eglant Koçit

11:23, 10/06/2026

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e arrestit në burg për Enea Zyferin, kamarier në lokalin në pronësi të Armand Shakajt. Ky i fundit është shpallur në kërkim nga policia, pasi dyshohet se qëndron pas pengmarrjes së 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili rezulton i zhdukur që prej datës 5 qershor.

Gjatë seancës në gjykatë, Zyferi mohoi të ketë pasur lidhje me ngjarjen, ndërsa hetimet e deritanishme të policisë janë mbështetur në prova rrethanore dhe shkencore, që ngrejnë dyshime se Koçi mund të jetë vrarë dhe trupi i tij të jetë fshehur.

Eglant Koçi, 34 vjeç, ishte denoncuar nga familjarët e tij si i zhdukur në polici më 5 qershor. Hetimet e deritanishme të policisë kanë çuar dyshimet drejt 41-vjeçarit Armand Shakaj, i cili është shpallur në kërkim. Sipas policisë, Shakaj dyshohet të ketë vepruar me ndihmën e kamarierit 25-vjeçar, Enea Zyferi, i cili tashmë është në pranga dhe lënë në burg nga gjykata.

Policia ka arritur të gjejë motorin e të zhdukurit dhe vendin ku ai dyshohet të jetë mbajtur, por nuk ka dhënë detaje për të shmangur pengimin e hetimeve. Nga kamerat e sigurisë rezulton se Shakaj është larguar me makinë nga vendi ku ishte mbajtur i riu, dhe dyshohet se me të ka qenë edhe pengu. Automjeti është sekuestruar dhe në të janë konstatuar njolla gjaku, por nuk ka ende konfirmim për fatin e Koçit.

Kontrollet e policisë janë kryer në periferi të Tiranës, përfshirë zonën e Dajtit dhe drejt Elbasanit, por deri tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e të zhdukurit. Motorri i Koçit u gjet më 8 qershor në rrugën “5 Maji” në Tiranë, dy ditë pas zhdukjes.

Policia vijon hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e autorit kryesor, Armand Shakaj, dhe për të sqaruar fatin e të riut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco