VIDEO/ Denoncimi i Piranjave për zyrtarët e policisë si trafikantë njerëzish, SPAK i arrestoi sot

21:30, 12/04/2024

Dhjetë ditë më parë një grup prej 7 emigrantesh klandestinë nga Pakistani, humben jetën në një aksident rrugor në aksin Përmet-Këlcyrë, duke rikthyer ne vëmendje, një drame njerëzore qe konsumohet çdo dite përpara syve tanë.

Emigrimin e paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Në realitet, rritja e konflikteve në Lindjen e Mesme dhe niveli i larte i varfërisë, ka sjellë një vale te re emigrimi nga vende si Siria, Iraku, Maroku, Egjipti, India, Pakistani, Bangladeshi por edhe nga vende te Afrikës qendrore. Çdo vit rreth 1 milion persona lënë vendin e tyre duke kërkuar ëndrrën europiane, shpesh here ne udhëtime rraskapitëse qe zgjasin me muaj te tere.

Siç është rasti i këtij zotërie dhe djalit të tij 15 vjeçar me të cilët u njohëm në Beograd. Për shkak të pozicionit, në zemër të gadishullit ballkanik, Shqipëria,  është kthyer në një rrugë kalimi tepër e rëndësishme për këta persona. Emigrantët nga Lindja e Mesme kalojnë kufirin nga Greqia, dhe më pas drejtohen për në veri, në kufirin shqiptaro-malazez, duke përshkuar Shqipërinë në të gjithë gjatësinë e saj.

Të njëjtin itinerar tentuan dhe 7 pakistanezët që fatkeqësisht humbën jetën në shtratin e lumit Vjosë. Kjo forme e emigrimit te paligjshëm, ajo klasikja, ka linjat e saj ne te cilat emigrantet fatkeqe kalojnë dore me dore në një zinxhir trafikantesh përgjatë gjithë rajonit te Ballkanit. Por ka edhe një linje tjetër të kamufluar mjaft mirë qe funksionon prej vitesh ne territorin tone. Agjencitë e punësimit, sepse mes qindra emigrantëve të ligjshëm që vijnë në Shqipëri për të punuar, ka shumë prej tyre që e shohin vendin tonë si një trampolinë drejt Europës.

Duke parë dëshirën e ethshme të tyre për të prekur tokën e premtuar, trafikantet jane gjithmonë aty, të gatshëm për të bërë lëvizjet e duhura në këmbim të shumave që arrijnë deri në 5000 euro për person. Pikërisht këtu hyjnë në lojë agjencitë e punësimit dhe zyrtarët e korruptuar. Ky zotëri quhet Talal, dhe ka ardhur nga Dubai në Shqipëri në vitin 2016. Ai është një ndër personat e parë që hapi një agjenci punësimi në Shqipëri, me qëllim sjelljen e punëtorëve nga Lindja e Mesme.

Pas denoncimit të tij që u bë publik dy vite më parë nga emisioni Top Story, policia reagoi menjëherë duke pezulluar drejtuesit e atëhershëm të drejtorisë rajonale te kufirit dhe emigracionit, te përfshire ne këtë afere. Madje ata u morën  si të pandehur, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, falsifikimin e dokumenteve dhe dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm kufiri.

Personat e arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ishin Enkelejda Toska drejtoresha e institucionit, Besnik Zela shef i sektorit, Altin Hasani shefi i seksionit dhe Albana Metko, specialiste. Por çfarë ndodhi pas këtij operacioni të bujshëm?

Gjykata vendosi ne lirimin e këtyre zyrtareve dhe askush nuk u dënua, madje u rikthyen serish ne pozicione pune të ngjashme.

Në momentin që kaloi materialet hetimore në Gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë, prokurori i çështjes ka pushuar akuzat për veprat penale te shpërdorimit te detyrës dhe falsifikimit te dokumenteve, duke lënë vetëm atë te kalimit te paligjshëm te kufirit.

Akuzë që u rrëzua në vendimin përfundimtar të gjykatës dhe që natyrisht liroi kupolën drejtuese të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe të Emigracionit. Por duket se dikush duhej bërë kokë turku. Prandaj i vetmi që u ndoq penalisht ishte i pandehuri Sami Hoxha. As më pak e as më shumë por ish-bashkëshorti i drejtoreshës, Enkelejda Toska.

Pra, ai kryen veprat penale ‘Ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit’ dhe ‘falsifikim të dokumenteve’, në një sektor ku ish-bashkëshortja është drejtoreshë, dhe kjo fundit nuk di asnjë gjë.

Nejse, ky mund të konsiderohet një dëm anësor. E rëndësishme është që pas lënies të lirë nga gjykata, pothuajse të gjithë të akuzuarit, iu rikthyen karrierës në radhët e policisë.

Rastësi apo jo, njëkohësisht me pafajësinë e zyrtarëve të emigracionit, lulëzoi edhe biznesi me emigrantët i agjencive të punësimit, të cilat e përdornin këtë emër vetëm për të fshehur objektivin e vërtetë të aktivitetit që kryenin.

tekst: kjo vërtetohet nga ky përgjim me Edmond Brahon njërin nga ish-vartësit e katër të akuzuarve. Në këtë video, Edmond Braho, shef i emigracionit të parregullt po flet me një person i cili kërkon të favorizohet për viza të emigrantëve nga Lindja e Mesme.

Altini për të cilin po flitet, është ish-shefi i seksionit Altin Hasani i cili ishte akuzuar nga SHÇBA-ja për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentash dhe ‘Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit’. Pasi këtu akuza ranë, ai u rrit në detyrë  duke u emëruar specialist i vizave për kufirin dhe migracionin. Duket që ky zotëri është vërtetë specialist.

A është kjo një skemë e mirëorganizuar trafiku dhe korrupsioni në zyrat e shtetit? Këtë shpresojmë që ta zbërthejnë organet ligjzbatuese. Ajo që kuptojmë ne për momentin është se akuzat, këtij personi, i vijnë nga të gjitha anët.

Skema korruptive e krijuar nga autoritetet e emigracionit, duket se ka funksionuar prej kohesh ne perfeksion. Për ta kuptuar këtë mjafton të dëgjojmë se çfarë thonë këta të rinj indianë që kanë ardhur në Shqipëri me vizë pune por me qëllime të qarta.

Kemi ardhur me vizë pune, kemi paguar 2500 euro për të ardhur, ndërkohë që synimi ynë është të shkojmë në Itali, do paguajmë dhe kaq, për të shkuar.

Dhe organizatorët kryesorë janë ata që duhej ta luftonin këtë fenomen, Autoritetet e emigracionit të cilëve i kërkuam informacion për korrupsionin hapur që kryenin.

Përveç qasjes së dhunshme në zyrat e emigracionit, nuk morëm asnjë përgjigje për këtë aferë korruptive.  

Në vijim të këtyre denoncimeve, sot në mëngjes, SPAK ka lëshuar 26 urdhër-arreste, duke vënë në pranga edhe zyrtarë të lartë të emigracionit të lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore. Kuptohet që nuk mungonin emrat e Altin Hasanit dhe Edmond Brahos, du protagonistëve të investigimit tonë, të cilët akuzohen për ‘kryerje të veprës penale nga organizata kriminale apo grup kriminal’ dhe ‘korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’.

Shpresojmë që kësaj radhe, gjërat të mos përsëriten, dhe zyrtarët e korruptuar të mos rikthehen më në ato zyra të shtetit, në të cilat kishin mision të vetëm, zhvatjen e fatkeqëve që vijnë me shpresën e një jete më të mirë.

EMISIONI I PLOTE: 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco