Berisha: Zemërimi, përgjigjja që do jepte çdo popull evropian i poshtëruar nga një faqezi si Erion Veliaj!

Berisha: Zemërimi, përgjigjja që do jepte çdo popull evropian i poshtëruar nga një faqezi si Erion Veliaj!

07:53, 05/04/2024

"Ditën e premte, ora 11, shqiptarët marshojnë bashkë të pastrojnë zyrat e bashkisë. Dhe i japin përgjigje poshtërimit nga ky faqezi të qytetarëve të Tiranës, që nuk e kanë parë kurrë ndonjëherë më parë. Të premten në ora 11:00, guximtarët, misionarët, luftëtarët e lirisë dhe të dinjitetit do të bëjnë atë që do bënte çdo evropian i qytetëruar, do i japin përgjigje."

Nga fjala e Kryetarit të PD, Sali Berisha, mbajtur mbrëmjen e djeshme, më 4 prill 2024 në mitingun qytetar.

Berisha: Ppërshëndetjet më të përzemërta, ju luftëtarëve të lirisë, misionarëve të dinjitetit dhe fitores.

Burrave dhe grave të pamposhtur! Të dashur miq! Po të shtrojmë një pyetje sonte, si mund të guxojë një fytyrë si ajo e Erion Velisë të grabisë djersën, të ardhmen e fëmijëve të tuaj dhe jetën e të dashurve tuaj? A ka shqiptar që i rrjedh gjak shqiptari në deje të pajtohet me këtë nënshtrim, me këtë poshtërim?

Dhe poshtërimi nuk ndalon me kaq. Kjo vjedhje është vetëm një aspekt i krimit që po u bëhet qytetarëve të Tiranës. Erion Veliaj nuk është vetëm kryehajduti i pesë hajdutëve, drejtorë të tij. Erion Veliaj është kryehajduti i vjedhjes së shekullit, i zhdukjes pa nam dhe nishan të 130 milionë euro, taksa të qytetarëve të Tiranës.

Erion Veliaj është kryebanditi që zhduku institucionet e kulturës kombëtare. Është Neroni që shkatërroi në mesnatë Teatrin Kombëtar. Është shkatërruesi i Teatrit të Fëmijëve. Është njeriu i pashpirt, që nxori bashkë me xhenazen nga shtëpia, familjarët në zi. Erion Veliaj është njeriu që përmbyti Bibliotekën Kombëtare. Po rrënon Muzeun.

Erion Veliaj i ka duart e lyera me gjakun e Ardit Gjoklajt, një viktimë e pafajshme e oreksit për para të këtij armiku faqezi.

A ka shqiptar që ta lejojë këtë? Jo, kurrë.

Ditën e premte, ora 11, shqiptarët marshojnë bashkë të pastrojnë zyrat e bashkisë.

Dhe i japin përgjigje poshtërimit nga ky faqezi të qytetarëve të Tiranës, që nuk e kanë parë kurrë ndonjëherë më parë.

Të premten në ora 11:00, guximtarët, misionarët, luftëtarët e lirisë dhe të dinjitetit do të bëjnë atë që do bënte çdo evropian i qytetëruar, do i japin përgjigje.

Atë përgjigje që do jepte çdo popull evropian i poshtëruar nga një armik faqezi si Erion Veliaj.

Po cila përgjigje, miqtë e mi?

Ka vetëm një përgjigje: zemërim, zemërim, zemërim! Vetëm zemërimi i drejtë i qytetarëve është përgjigja ndaj Erion Veliajt sepse vetëm ne jemi shpresa e qytetarëve të Tiranës.

Vetëm ne do shpëtojmë Tiranën!

Të dashur miq!

Le t’i shohim pak alternativat tjera.

Të shtrojmë pyetjen: a ikën Erion Veliaj me votë?

Po si do ikë ai me votë, kur u faktua se paratë e taksapaguesve, miliona euro, i vjedh 100 përqind me drejtorët e tij dhe përdor pastaj për të blerë votat dhe dhunuar zgjedhjet.

Pra, Erion Veliaj është monstra e zgjedhjeve. Njeriu që me sistemin përreth tij, shndërron votën në krim dhe krimin në votë.

Po mirë, a do e largojmë pas këtyre qindra fakteve, e ashtuquajtura drejtësi e re, Erion Veliajn?

Miq, kjo drejtësi, Spaki i famshëm i Edi Ramës dhe Altin Damanit, jo vetëm që nuk e arrestojnë Erion Veliajn, as nuk guxojnë as ta pyesin, as ta hetojnë, sepse siç u tha ai, në qoftë se u kujtohet një vit më parë, ai u bën atyre atë dhe këtë që nuk më bën goja ta nxjerrë. E kuptoni vetë dmth…

Po pse u thotë ai se u bëj atë dhe këtë? Sepse i ka bukos me leje ndërtimi, me shtesa katesh, me apartamente për vete dhe akrabanë.

Prandaj ata as nuk guxojnë, pranojnë vetëposhtërimin publik, pranojnë të paraqiten para qytetarëve si dhunues të ligjit dhe faqezi, si njerëz pa asnjë moral për të drejtën dhe ligjin dhe nuk guxojnë kurrë ta vendosin nën hetim Erion Veliajn.

Të dashur miq!

Ky Altin Damani, kur bëri dosjen e Arben Ahmetajt, ia përmendi dhjetë herë emrin Erion Veliajt.

Por kur Veliaj i tregoi atë që ia di, kur shkoi dosja e bashkisë për inceneratorin, nuk e përmendi  dot asnjëherë të vetme.

Dhe tani, kur janë vjedhur dhjetëra e dhjetëra milionë, 100 përqind, jo me ryshfet më, por 100 përqind, janë shndërruar në hotele luksoze që shkojnë gjer në 50 milionë euro, janë shndërruar në pallate…

Se këta i fitonin tenderat, por pallatet i kanë ndërtuar me leje ndërtimi në bashki, njëlloj si Edi Rama, pallatin në pajë të bashkëshortes së vet, pa asnjë faturë, pa asnjë qindarkë.

Pra, a mund të presim ne nga Damanët e Edi Ramës se do hetojnë Erion Veliajn? Kurrën e kurrës!

Ashtu si Veliaj poshtëron qytetarët e Tiranës, këta mercenarë, këta laro, poshtërojnë të drejtën, ligjin, shenjtërinë e të drejtës, moralin njerëzor me qëndrimet e tyre ndaj ligjit dhe të drejtës.

Ndaj ka edhe një rrugë. Rruga është beteja qytetare.

Rruga është betejë pa kthim!

Të dashur miq!

I’u deshën javë dhe muaj deputetëve, përfaqësuesve tuaj në parlament në mosbindje civile, por më në fund e mposhtën tiranin në parlament.

Më në fund rikthyen komisionet, rikthyen të drejtat.

Edhe ju, prandaj të gjithë të premten  në ora 11 te bashkia gjer në fitoren e dytë të plotë mbi bashkinë.

Gjer në çlirimin e bashkisë.

Gjer në rikthimin e shtëpisë së parë të qytetit, qytetarëve të ndershëm të Tiranës.

Poshtë hajdutët, poshtë hajdutët, jashtë nga bashkia.

Ndaj dhe të premten është ditë e madhe në historinë e demokracisë se fillon beteja pa kthim për çlirimin e bashkisë nga kjo farë e poshtër që ka vendosur rekordin më të paqenë në botë.

Pra, edhe njëherë, ai me votë nuk ikën, atë drejtësinë e ka mburojë.

Por atëherë çfarë mbetet?

Revolta qytetare, ajo është fjala e qytetarëve.

Ndaj dhe Erion, në qoftë se e don veten një miligram, jep dorëheqjen.

Mos e prit popullin e revoltuar se këtë poshtërim që i ke bërë ti Tiranës nuk ia ka bërë kush kurrë.

Është rast i pashembullt që të vidhen 100 përqind fondet, përveçse me ty, fondet e djegësit, fondet e tenderave të tjerë.

Dy fjalë o larot e Skapit, o mercenarë: sjellja juaj si narkoprokurorët kolumbianë, që arrestonin ushtarë për të mbrojtur Eskobarin, do marrë ndëshkimin më shembullor nga qytetarët shqiptarë.

Drejtësia është dhunti e Zotit për çdo qytetar të lirë.

Mjerë ju që përdhosni drejtësinë për Edi Ramën, Erion Veliajn.

Së fundi, Edvin Surreli, Edvin Xibraka, po të vjen fundi edhe ty.

Edvin, mos të të qeshi buza se të premten beteja është me bashkinë, por të jap fjalën e nderit, se pas bashkisë, radhën e ke ti.

Ti dhe vetëm ti.

Dhe forcë në botë që të mbron ty nga zemërimi popullor nuk ka dhe nuk mund të ketë.

Mos harro, populli i zemëruar është populli i fitores. Është populli i lirisë. Është populli i dinjitetit. Është populli i Shqipërisë.

Ndaj dhe të premten në 11, në mbështetje të lëvizjes, aleancës më qëndrestare në historinë e Europës, Aleancës së Teatrit. Të gjithë para bashkisë, tua kthejmë bashkinë qytetarëve. T’u rikthejmë dinjitetin atyre. T’i rikthejmë dinjitetin Tiranës. Fitore, fitore, o sot o kurrë. Përpara të gjithë! Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco