SYRI TV/ ‘Der Standard’: Qendrat e refugjatëve në Shqipëri janë një marrëveshje e pistë!

14:50, 27/11/2023

“Qendrat e refugjatëve në Shqipëri janë marrëveshje e pistë” është ky titulli i artikullit që Der Standard i ka kushtuar akordit mes Edi Ramës e Georgia Melonit. Prestigjozja austriake e cilëson marrëveshjen e refugjatëve si të paligjshme dhe antikushtetuese ndërsa i bën edhe thirrje Gjykatës Kushtetuese në Tiranë që ta parandalojë menjëherë këtë marrëzi. 

Nga SYRI TV

Prestigjozja austriake Der Standard e ka cilësuar një marrëveshje të pistë atë për refugjatët të nënshkruar mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane Georgia Meloni. Në shkrimin publikuar të djelën me autore gazetaren austriake Adelheid Ëölfl, vihen në dukje deklaratat e kaluara të Edi Ramës që mohonte kategorikisht strehimin e refugjatëve në Shqipëri ndërsa theksohet se ky akord është i paligjshëm dhe antikushtetues për një mori arsyesh.

 “Kur Herbert Kickl, si ministër i Brendshëm i Austrisë, u përpoq të bindte Shqipërinë që të ngrinte kampe për të dëbuarit, Tirana tha qartë jo në vitin 2018. Kryeministri Edi Rama theksoi: “Shqipëria nuk do të jetë kurrë vendi, ku vendet e pasura krijojnë kampe për të hedhur emigrantët”.

Tani gjërat janë padyshim ndryshe. Tri javë më parë, Rama nënshkroi një protokoll me homologen e tij italiane, Georgia Meloni që do të sillte emigrantët nga Mesdheu në Shqipëri, për t’u mbajtur më pas në ‘paraburgim administrativ’ në ‘qendrat e shqyrtimit të emigracionit’. E ardhmja e tyre nuk është e përcaktuar në marrëveshje.

Sipas avokatëve, marrëveshja Meloni-Rama është e paligjshme dhe antikushtetuese për shumë arsye, për shembull sepse cenon sovranitetin e shtetit shqiptar.

Rama, i cili po sillet gjithnjë e më shumë autoritar në Shqipëri, e paraqiti të gjithë këtë si një nder, sepse në vitin 1997, Italia pranoi shumë shqiptarë që po iknin nga dhuna dhe anarkia. Megjithatë në Shqipëri në veçanti, është e rëndësishme që shteti i të drejtës të mos cenohet më tej nga marrëveshjet e pista si ajo me Italinë.”

Në artikullin e Der Standard po ashtu i kushtohet rëndësi faktit se ideja për të sqaruar statusin e emigrantëve në mënyrë ekstraterritoriale dështoi në Gjykatën e Lartë të Britanisë e Madhe. Gazeta austriake bën thirrje që gjykata Kushtetuese e Tiranës të parandalojë menjëherë zbatimin e marrëveshjes duke e cilësuar edhe si marrëzi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco