'Ahmetaj kthehet kur të ketë liri'/ VOA: Rama nuk i përmendi inceneratorët

'Ahmetaj kthehet kur të ketë liri'/ VOA: Rama nuk i përmendi inceneratorët

09:54, 15/07/2023

Në Shqipëri, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, bëri të qartë se nuk ka ndërmend të kthehet në vend “përpara se e vërteta të marrë rrugë e dritë”. Ai i bëri këto komente në një postim në Facebook pak përpara nisjes së seancës së parlamentit, në të cilën u votua thuajse në unanimitet në favor të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e tij. Deklaratat e ish-zëvendëskryeministrit u përforcuan dhe nga avokati i tij, Henrik Ligori, i cili tha për mediat se zoti Ahmetaj “ndodhet pranë familjes në Angli” dhe se do të kthehet “kur të ketë liri”

Zëri i Amerikës

I dyshuar për të paktën tre vepra penale, që nga korrupsioni, fshehja apo mosdeklarimi i pasurisë dhe pastrimi i parave, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj u largua nga Shqipëria pak përpara se Prokuroria e Posaçme të firmoste shkresën me të cilën i drejtohej parlamentit për të patur autorizim për arrestimin e tij. Të premten e shkuar ai kaloi kufirin tokësor me Greqinë, dhe hipotezat mbi vendndodhjen e tij u bënë subjekt hamendësimesh.

Mënyra e largimit dhe koincidenca me veprimin e Prokurorisë ngritën dyshime të forta se mund të bëhej fjalë për një largim aspak të përkohshëm. Të premten ai vetë, në një reagim të gjatë në Facebook, la të kuptohej qartë se do të jetë pikërisht kështu. Ndërsa shkruante se dikush i kish thënë se e donin në burg ai theksoi se “nëse do ta meritoj, sigurisht që do të ndodhi…po jo përpara se e vërteta të marrë rrugë e dritë”.

Më pas e gjitha u konfirmua dhe nga avokati i tij, Henrik Ligori, sipas të cilit zoti Ahmetaj “ndodhet pranë familjes në Angli” dhe se do të kthehet “kur të ketë liri”.

Ndërsa shpjegonte pozicionin e vet, duke hedhur poshtë të gjitha dyshimet e rënda të ngritura ndaj tij nga Prokuroria, teksti i tij ishte po ashtu i mbushur me insinuata. “S’kam marrë pjesë në procedurat e inceneratorëve. Letra do të dalin, e nëse dikush do të kërkojë t’i fshehë, do dalin gjithsesi”, shkruajti ai, duke e konsideron veten një kokë turku. “Hetimi im s’ka pasur fare të bëjë me inceneratoret, se unë për shkak të pozicioneve s'kam pasur tagër të përfshihem në procedurat e tenderimit. Eshtë hetuar Arbeni, jeta e tij për 25 vite, dhe jo procedura. Të thahet liqeni, mbase ngelet peshk në taban. Standard që s’duhet t’i përkasë drejtësisë së re”. Dhe nuk munguan as notat e zhgënjimit ndaj kolegëve të tij të majtë, kur duke ironizuar shkruajti se “falenderoj dhe kolegët e mi të mazhorancës dhe opozitës për nxitimin e treguar këtë javë. I “mirëkuptoj” për këtë, sepse politika dhe drejtësia e re e akoma e hershme për t’u quajtur e maturuar, kërkojnë statistika”.

Sipas Prokurorisë, nga hetimet është vërtetuar një lidhje e ngushtë mes zotit Ahmetaj dhe dy sipërmarrësve që përfituan kontratat e inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, si dhe mbështetja që siç thonë prokurorët, ish-anëtari i qeverisë, në funksionet e ministrit të Ekonomisë e më pas të Financave, i ka ofruar atyre, duke marrë shpërblime në shkëmbim.

Dosja ndaj zotit Ahmetaj, me ato pak elementë që janë bërë publikë deri tani, i ngjan një “kutie të Pandorës”, e cila duket se implikon që nga individë privatë, deri te një rreth i gjerë zyrtarësh të thuajse të gjitha niveleve, të vënë në shërbim të interesave të dy sipërmarrësve.

Në parlament, opozita shfrytëzoi sërish seancën për të akuzuar shumicën, duke drejtuar gishtin ndaj kryeministrit Edi Rama, si përgjegjësin kryesor sipas saj të çështjes së inceneratorëve. “Askush tjetër, duke nisur nga Edi Rama dhe çdo ministër që ka votuar në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, jo vetëm kanë mbyllur sytë, po kanë nxituar të fimosë, të çertifikojë çdo letër, çdo shkresë që ka shkuar nga kompjuteri i Klodian Zotos. Kjo dosje na provoi secilit prej nesh se çfarë është kapaja e shtetit. Unë e di që një pjesë prej jush e kanë lexuar dosjen e nuk janë ndjerë mirë. Nuk janë ndjerë mirë për faktin se kanë kuptuar se qeveria e Edi Ramës në fakt nuk ishte qeveria e Edi Ramës, ishte qeveria e Klodian Zotos. Kanë kuptuar se qeveria e Edi Ramës nuk ishte grdiane e buxhetit të shtetit, por ishte lëvruese e fondeve në mënyrë të paligjshme për dy biznesmenë të lidhu me të, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri”, deklaroi kryetari i grupit demokrat Gazmend Bardhi.

Socialistët iu përmbajtën rigorozisht aspektit teknik e procedurial të çështjes, duke votuar më pas, siç dhe kishin paralajmëruar, në favor të kërkesës për arrestimin e zotit Ahmetaj. Një votim thuajse në unanimitet me vetëm 3 abstenime.

Ndërsa kryeministri Rama, i cili qëndroi disa minuta në sallë në hapje të seancës, për t’u rikthyer pasi përfundoi ndërhyrja e përfaqësuesit të opozitës, bëri të ditur më vonë, se do të thyente heshtjen mbi rastin në mbrëmje, duke iu drejtuar opinionit publik.

Reagimi i kryeministrit

Në 16 minutat e mesazhit të tij “Për drejtësinë dhe politikën në kohën e një kthese historike”, zoti Rama i kushtoi vetëm pak rreshta rastit të ish-zëvendësit të tij, për të cilin ai tha se “nuk është as një njeri i panjohur dhe as një bashkëpunëtor i largët për mua. Ai është një ndër bashkëpunëtorët me të cilët jam takuar më shumë, kam komunikuar më shumë në telefon, kam diskutuar më shumë për shumë nga vendimmarrjet tona gjatë këtyre viteve”.

Duke e bërë të qartë se nuk kishte ndërmend të merrej me rastin, pasi “nuk më takon mua të them nëse Arben Ahmetaj është fajtor apo i pafajshëm”, kryeministri shpjegoi arsyet pse partia e tij mbështeti pa rezerva kërkesën e prokurorisë. “Këtë herë na u vu përpara dosja e një pune voluminoze hetimore. Në mos e provoftë fajësinë e deputetit, çka mund dhe do ta thotë vetëm gjykata, ajo dosje krijon përshtypjen se ka dyshime të mjaftueshme, për të mos e ndaluar autorizimin e kërkuar nga SPAK-u për Kuvendin. Tanimë është në dorën e drejtësisë të na e tregojë deri në fund në është një rast fajësie apo pafajësie”, deklaroi ai.

Zoti Rama po ashtu e anashkaloi çështjen e shumëpërfolur të inceneratorëve, e cila përveç zotit Ahmetaj, ka çuar para drejtësisë dhe një tjetër ish-ministër të tij, Lefter Kokën, dhe një ish-Sekretar të Përgjithshëm dhe ish-deputet socialist Alqi Bllakon, si dhe zyrtarë të tjerë në administratën qendrore dhe atë vendore.

E gjitha pjesa tjetër ishte përsëritje e deklaratave dhe qëndrimeve të mëparshme, se Reforma në Drejtësi, e nisur dhe e mbështetur nga socialistët, kishte patur si synim të luftonte korrupsionin në nivele të larta, jo vetëm për qeverisjet e kaluara. Edhe një herë ai theksoi se nuk pajtohet dot me askënd që abuzon me besimin që siç tha ai shqiptarët I kanë dhënë “duke e kthyer mandatin e tyre, të votuesve tanë dhe besimin tim gjithashtu, në një mundësi të palejueshme për të fryrë xhepin, duke punuar për shtetin. Unë jam gati të mbaj pa asnjë ankim baltën e pambarimtë që kundërshtarët e të gjitha llojeve më hedhin çdo ditë padrejtësisht fytyrë e në gjoks prej vitesh, por nuk kam qenë, nuk jam, e nuk do të jem kurrë gati, të mbaj në shpinë bashkë me Partinë Socialiste, askënd që e kujton gabimisht shpinën e madhe të kësaj familjeje politike, kurrizin e një kali që mund ta kalërojë për të shirë për vete, në lëmin e pushtetit të marrë nga populli”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco