Alihmehmeti: Punësimi i detyruar është kthim në diktaturë, shteti duhet t’i mbështesë mjekët

Alihmehmeti: Punësimi i detyruar është kthim në diktaturë, shteti duhet t’i mbështesë mjekët

22:20, 05/07/2023

Doktor Ilir Alihmehmeti i ftuar në News 24 është shprehur se qeveria po kërkon që të rikthejë punë me detyrim dhe se kjo është kundër parimit perëndimor të lëvizjes së lirë.

Alihmehmeti është shprehur se objektivi kryesor i një shteti është mbajtja e mjekëve, por përmes mbështetjes së tyre dhe jo punësimit me detyrim që shkel të gjitha parimet bazë.

Kundër replikë ndaj argumentave të Alihmehmetit bëri mjeku Gjergj Koja i cili është shprehur se ky vendim i qeverisë nuk e ka fjalën detyrim në përbërje, teksa e cilësoi si një mekanizëm për të stimuluar mjekët e rinj për të qëndruar në vend.

Alimehmeti: Qeveria po kërkon punë me detyrim. Kjo është kundër parimit perëndimor të lëvizjes së lirë. Po ashtu preket Karta e Bolonjës në lidhje me studimet, sepse tregu i punës nesër është Europa. Kjo do të thotë se ne kemi mundësi dhe shqiptarëve u duhet ofruar kujdes shëndetësor, por duke përmirësuar kushtet dhe jo me detyrim. Edhe sikur të realizohet kjo, lind një problem pasi punonjësi bën punën me detyrim. Po shkohet kundër parimeve që do e zgjidhnin këtë punë.

Mos të harrojmë se shteti nuk subvencionon vetëm studentin e mjekësisë me taksë. Kjo lloj logjike që paguajmë taksa për këtë shërbim dhe nuk mund të largohesh mund të përdoret për shumë aspekte. Që në 2018 ka një raport dhe thotë se problematikat mbeten të njëjtat, për të cilat nuk është bërë gjë.

Koja: Ky vendim nuk e ka fjalën detyrim. Në optikën time është një mekanizëm ose një tentativë për të stimuluar mjekët e rinj për të qëndruar në vend. Ky është stimulues dhe jo pengues apo kufizues. Stimuli është që në marrëveshjen me ministritë dhe universitetin ke trajtim preferencial për t’u punësuar në spitalet shtetërore. Nëse në një vit shteti nuk të garanton punësim je i lirë të ikësh ku të duash.

Qeveria po merr të tilla hapa pasi mjekë të arsimuar në Shqipëri që kanë ikur janë mbi 1200. PS e ka gjetur vendin me 1.2 mjekë për banorë dhe shifra është rritur edhe pse është me e ulët se rajoni.

Alimehmeti: Pse nuk e raportoni? Se nuk është konkrete, prandaj.

Koja: Nuk preket e drejta arsimore aspak. Nuk ka të drejtë me detyrim. Çdo shqiptar ka të drejtë për akses në sistem shëndetësor. Këta studentë nesër duhet patjetër të furnizojnë vendin dhe të jenë këtu. Ata shkollohen me taksat e shqiptarëve. Në infrastrukturë po investohet në mënyrë fantastike, por edhe në paga. Jemi në mes të rrugës, por nuk krahasohet me më parë. Vendet e mëdha evropiane po përballen me probleme demografike. Gjermania i ka rënë shkurt, ka liberalizuar politikat e punësimit dhe emigracionit dhe po na marrin neve burimet njerëzore. Ne po ruajmë prodhimin tonë.

Alimehmeti: Objektivi është mbajtja e mjekëve, por unë them përmes mbështetjes së tyre. Përse dalin ata në protestë?

Koja: Nuk flas me logjikën e manipulimit politik. Largimi i mjekëve ka nisur nga viti 2010. Ku është kufizimi këtu? Ka investuar gjithë populli që të dalësh mjek, prandaj ke shkuar student mjekësie.

Alimehmeti: Në këto fjalë mbështeten republikat popullore, është hap mbrapa sa i përket demokracisë dhe lirive.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco