Rama flet sikur ka rënë nga qielli: Ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët penguan kadastrën

Rama flet sikur ka rënë nga qielli: Ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët penguan kadastrën

11:37, 30/06/2023

Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar ndjesë të gjithë qytetarëve për problemet që kanë hasur me dokumentet e pronësisë në kadastër. Sikur ishte dita e parë e qeverisjes, Rama tha se Ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët penguan kadastrën.

Në një takim të posaçëm ku njoftoi reformën në Kadastrën Shtetërore, Rama tha se ky institucion ka qenë i përfshirë nga korrupsioni nga zyrtarë të institucionit, por dhe ministra, deputetë e kryetarë bashkish. Kadastra, siç tha Rama, duhet të jetë banka e pasurisë së patundshme të qytetarëve.

“E vërteta e parë është se ne nuk kemi arritur edhe pse kemi pasur kohë të gjatë, që ta transformojmë kadastrën në atë që ajo është në vërtetë. Kadastra është bankë. Është njësoj si Banka Qendrore e Republikës së Shqipërisë, njësoj si një bankë e nivelit të dytë ku mbahen kursimet e qytetarëve dhe ku garantohen ndërveprimet e tyre me paranë dhe si çdo bankë, Kadastra nuk është një fole për qoka, për gjthëfarë lloji njerëzish që nuk kanë asnjë lidhje me atë punë.

Kadastra është penguar në mënyrë të vazhdueshme në radhë të parë nga ju. Kur them nga ju nuk kam parasysh secilin prej jush personalisht, por kategorinë që përfaqësoni, deputetë, ministra, kryetarë bashkish. Për të vazhduar më tutje të gjithë ata që kanë sadopak pushtet, që i kanë dhënë vetes të drejtën të intereferojnë me kadastrën si të ishte një rifuxhio pekatorium për të gjitha llojet e nevojave, që nga influenca për emërimet e drejtuesve, influencë deri në imponim, tek influenca për punonjës në kadastër deri në imponim, tek influenca për mbështetje për njërin e për tjetrin e duke penguar kadastrën që të bëhet ajo që duhet të jetë, banka e sigurtë e pronës së patundshme të shqiptarëve. Kjo është më e hidhura e vërtetë.

E shkuara e tmerrshme me harta të konsumuara nga palosjet dhe çpalosjet me tituj pronësie të lëvizshëm sipas interersave e me mbivendosje pronash nga papërgjegjshmëria e plotë që është karakteristika nr.1 e personave që futen në një mision jo për të bërë misionin apo dhe personave që kur duan ta bëjnë punën janë injorantë, ka bërë që ne të trashëgojmë një situatë katastrofike, më katastrofikja në Europë pa diskutim.

Sot ne jemi në kushtet kur nuk mund të themi se kemi arritur atë që duhej, përkundrazi kemi parë të ndodhin çudira pas çudirash me pronat e shqiptarëve. Padiskutim që aktori kryesor i gjithë kësaj historie të zymtë është korrupsioni, paraja, por ajo shprehja kur gjenerali shkul një mollë, ushtarë marrin gjithë pemën ka bërë që për shkak se influenca politike mbi kadastrën e deputetëve, e kryebashkiakëve dhe gjithë të tjerëve ka qenë shumë e pranishme atëherë të tjerët kanë bërë 1-mijë fishin e asaj që kanë qenë të detyruar nga lidhjet miqësore, familjare, klanore”.

Faljen publike drejtuar qytetarëve, kryeministri Rama e kërkoi në emër të gjithë Partisë Socialiste.

“Unë dua ta them me gojën plot dhe me kokën ulur se sot është dita për të kërkuar ndjesë shumë të madhe në emër të PS të gjithë atyre shqiptarëve që kanë kaluar në zinxhirin e tortureve në kadastër. Dhe kjo ndjesë është ndjesa e kryetarit të një partie fajtore, natyrisht nuk është e gjithë partia, por është udhëheqja e partisë në radhë të parë që ka dhënë shembullin më të shëmtuar për gjithë të tjerët, që u ka thënë të tjerëve se kjo bankë është një han me 7 porta, ku nga porta kryesore futen udhëheqësit pastaj nga portat e tjera futen të gjiha llojet e kategorive”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco