Rikthimi i vizave për Shqipërinë/ Reagimi skandaloz, MEPJ e lidh me çështjen e Kosovës

Rikthimi i vizave për Shqipërinë/ Reagimi skandaloz, MEPJ e lidh me çështjen e Kosovës

12:00, 19/10/2022

Pesë ditë më parë, portali më autoritar në Bruksel, EuObserver, publikoi një lajm, sipas të cilit Çekia mund të propozojë pezullimin e regjimit të lëvizjes së lirë me Serbinë dhe Shqipërinë.

SYRI e publikoi këtë lajm, ndërkohë që agjencia e Brukselit shkruante se e kishte parë vetë dokumentin në fjalë.

Disa ditë më vonë, pasi opinioni po zien në vend, kryeministri Edi Rama bëri një reagim duke sulmuar sërish opozitën, pa u marrë aspak me thelbin e shqetësimit të ngritur nga Çekia.

Kurse sot, Ministria e Jashtme bëri një reagim po kaq arrogant, duke sulmuar mediat që kanë publikuar lajmin.

Jo vetëm kaq, por në reagimin e tyre bëhen insinuata të tjera, duke thënë se ky lajm ka lidhje me diskutimet për liberalizimin e vizave me Kosovën.

Delli nacionalist ka kapluar jo vetëm Edi Ramën, por edhe këtë dikaster. Edhe MEPJ nuk flet aspak për dokumentin cek të publikuar nga mediat evropiane dhe për shqetësimin e ngritur prej tyre.

DEKLARATA E PLOTE

Gjatë ditëve të fundit, në disa media por edhe përmes reagimeve publike të disa forcave politike, është përhapur lajmi për mundësinë e pezullimit të regjimit pa viza të shtetasve shqiptarë si pasojë e rritjes së numrit të emigrantëve të paligjshëm që kalojnë drejt Bashkimit Evropian përmes të ashtuquajturës “rrugë ballkanike.”

Dëshirojmë të informojmë qytetarët që këto lajme janë krejtësisht të pavërteta. Nuk ka asnjë plan, asnjë iniciativë, asnjë dokument të propozuar nga ndonjë vend anëtar i BE e asnjë diskutim lidhur me mundësinë e pezullimit të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë. Ky lajm duket të jetë thjesht e vetëm produkt i interesave të caktuara në një moment kur në Bruksel është duke u diskutuar për të gjetur sa me parë dhe pa vonesa të tjera të pajustifikuara mundësinë për t’i njohur të drejtën e lëvizjes së lirë qytetarëve të Kosovës. Është për të ardhur keq, që një lajm i tillë i rremë, lehtësisht i verifikueshëm për mediat apo forcat politike, ka gjetur jehonë në sferën publike në Shqipëri.

Shqipëria është një partnere e besuar e BE dhe nëse ka shqetësime për rritjen e numrit të emigranteve të paligjshëm në të ashtuquajturën ´rruga ballkanike´, ato janë trajtuar e trajtohen me seriozitet dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë evropianë. Vendi ynë ka qenë i pari në rajon, qe ka nënshkruar marrëveshjen me Frontex dhe ka një bashkëpunim shembullor me të gjitha agjencitë e BE dhe vendeve anëtare në përballimin e emigracionit të paligjshëm. Fakti që në datën 3-4 nëntor, në Tiranë, do të mbahet Ministeriali i Ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të BE dhe Ballkanit Perëndimor është shprehje e këtij vlerësimi për punën tonë.

Ne garantojmë qytetarët shqiptarë se ata nuk rrezikohen aspak dhe në asnjë moment nga e drejta për të lëvizur pa viza në hapësirën e BE.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco