Trafiku i drogës nga Rinasi/ Qeni veçoi dy valixhet me kanabis në Stamboll, policia priti pasagjerët që tërhoqën ‘mallin’

Trafiku i drogës nga Rinasi/ Qeni veçoi dy valixhet me kanabis në Stamboll, policia priti pasagjerët që tërhoqën ‘mallin’

11:30, 19/10/2022

E ndërsa në Shqipëri Policia e Shtetit thotë se ka marrë përsipër të hetojë trafikun e drogës nga Rinasi në drejtim të aeroporteve turke, homologët turq kanë nxjerrë pamjet e operacionit të kryer në tri episode.

Bëhet fjalë për dy raste të nisura me avion pasagjerësh nga Shqipëria dhe një tjetër rast i konstatuar nga një avion mallrash, ku ngarkesa, sipas mediave turke, nuk është kanabis, por amfetaminë. Mediat turke nuk bëjnë me dije se nga vinte kjo ngarkesa, por theksojnë se malli ishte tranzit. Por duke iu referuar pikasjes së valixheve të dyshuara të mbërritura me linjën Tiranë-Stamboll, Policia turke ka publikuar pamjet kur qeni antidrog ndërhynë dhe bllokon dy çanta, brenda të cilave gjendej lënda narkotike.

Autoritetet policore kanë pritur personin marrës të valixheve e për pasojë kanë vënë në pranga shqiptarin Florenc Bicerri, i cili në vendin tonë rezultonte të ishte punonjës Policie. Sipas të dhënave lënda narkotike ka kaluar më 5 tetor në drejtim të Turqisë dhe sipas dyshimeve grupi kriminal, që përbëhet nga shqiptarë dhe turq dërgonin hashash në Turqi dhe prej andej sillnin heroinë drejt vendit tonë.

Policia e Shtetit nuk bën me dije asnjë informacion në lidhje me hetimin e rastit të trafikut ndërkombëtar të drogës që luhej përmes aeroportit të vetëm ndërkombëtar që kemi, por ka shigjetuar punonjësit e kontrollit të bagazheve, që pse nuk kanë lajmëruar Policinë për çantat e dyshimta.

Hetimet

Sipas burimeve zyrtare mësohet se autoritetet shqiptare dhe turke kanë nisur hetimet e përbashkëta për të zbuluar bashkëpunëtorët e grupit kriminal. Në vendin tonë, nën hetim janë vënë 3 kontrollorë, të cilët kanë pasur për detyrë kontrollin e bagazheve në aeroportin e Rinasit. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se, gjatë marrjes në pyetje kontrollorët deklaruan se nuk konstatuan sende të jashtëligjshme apo lëndë narkotike në valixhet e tyre. Policia dyshon se dy të huajt mund të kenë korruptuar kontrollorët për të kaluar sasinë e drogës. Nisur nga këto dyshime ata i kanë kërkuar autoriteteve turke bashkëpunim në hetime.

Krahas kësaj dosjeje, në vendin tonë policia po heton edhe përfshirjen në trafikun e drogës të punonjësit të policisë rrugore në kryeqytet, Florenc Bicerrit, i prangosur po në Turqi bashkë me dy shqiptarë të tjerë. Arrestimi i policit rrugor në Turqi me një sasi të konsiderueshme lënde narkotike ka bërë që Policia e Shtetit nëpërmjet një letërporosie t’i kërkojë autoriteteve turke informacion në lidhje me ecurinë e hetimeve. Kjo për shkak se ka dyshime që të përfshirë në këtë veprimtari të ketë edhe shqiptarë të tjerë, e sidomos punonjës të kufirit.

Nga hetimet e kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, rezultoi se Bicerri udhëtoi më 5 tetor nga Rinasi drejt Stambollit i shoqëruar nga Kujtim Çeliku, një ish-komando, tashmë i arrestuar bashkë me policin. Nga analizimi i pamjeve të kamerave në aeroport ka rezultuar se Bicerri e Çeliku nuk kanë pasur sende të jashtëligjshme gjatë kontrollit të skanerit.

3 OPERACIONE të ndara, droga me peshë 97 kilogramë e 359 gramë dhe me vlerë miliona lira është penguar që të futej kontrabandë në Turqi dhe të transportohej drejt vendeve të tjera, thotë Policia turke në një njoftim, në pranga ranë tre shtetas shqiptarë.

POLICIA TURKE “Në një tjetër operacion të kryer në aeroportin ‘Sabiha Gökçen’, u morën masa sigurie kur qentë detektorë reaguan në mënyrë të shpejtë ndaj 2 valixheve gjatë kontrollit rutinë. Qentë e zbulimit u futën në zonën ku ndodheshin valixhet në terminal. Nga ekipet janë ndjekur valixhet e dyshimta, të cilat drejtoheshin në brezin normal të bagazheve dhe janë pritur dy pasagjerët që më pas i tërhoqën ato./Panorama/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco