A duhet të tërhiqet e Berisha?

A duhet të tërhiqet e Berisha?

22:19, 23/07/2022 Nga Armand Maho

Vendimi Britanisë së Madhe për Sali Berishën  duket se ka ringjallur disi revanshin e atyre që kanë nostalgji për opozitën e fjetur të këtyre 9 viteve. Shumë prej tyre kanë dalë me tezën e tërheqjes së Berishës nga skena politike dhe lënien në dorë të dikujt tjetër drejtimin e saj. Pra sipas tyre Berisha nuk duhet të sakrifikojë PD,  duke mbajtur postin e kryetarit por të lirojë udhën për dikë tjetër. Kjo sipas tyre mund të qetësojë ndërkombëtarët, te cilët mund të ndryshojnë kursin politik për ringritjen e saj drejt pushtetit

Në pamje të parë gjithsecili mund ta shohë këtë veprim si një zgjidhje oportune. Pra që me largimin e Berishës do mund të zgjidhet një ngërç i krijuar, nga sanksionet amerikane dhe britanike ndaj tij, dhe era për velat e PD-së do marrë tjetër drejtim.

E megjithatë, kjo vetëm zgjidhje nuk është. Problem duhet parë pak më thellë. Goditja ndaj Sali Berishës u bë në dy moment kruciale që kanë të bëjnë me vazhdimësinë e pushtetit të Edi Ramës. E para ndodhi  majin e vitit të kaluar, kur ende s’kishte mbaruar plotësisht numërimi i votave për zgjedhjet e 25 prillit dhe pas daljes së skandaleve  të manipulimit me votat, po përflitej që opozita mund të shkonte drejt mosnjohjes së zgjedhjeve. Si për ironi të fatal tre ditë pas zgjedhjeve skandali zgjedhor mori përmasa të frikshme pasi u zbulua se në vrasjen e Elbasanit të Pjerin Xhuvanit, policia, prokuroria dhe i gjithë shteti ishte vënë në shërbim të bandave që blinin vota për Taulant Ballën dhe PS-në atje

Kjo lëvizje mund të rrezikonte jo pak themelet e Edi Ramës. Por kush e mban mend, shpallja e Berishës non grata nga ana e SHBA-ve e fashiti thuajse plotësisht këtë ide, dhe vëmendja u zhvendos.  Lulzim Basha shfrytëzoi këtë moment për të mbajtur partinë duke shpallur zgjedhjet për kryetar nga pozitat e kryetarit, ndërsa për mosnjohje të zgjedhjeve nuk u fol më.

Momenti i dytë si rastësisht korrespondon me një skandal nga i cili Rama  nuk di se si të dalë, dhe do rrëzonte çdo qeveri në botë. Bëhet fjalë për vjedhjen e kryer me djegësit, ku taksapaguesve shqiptar i janë zhvatur me anë të mashtrimit qeveritar jo pak por 420 milionë euro. Një vjedhje e kryer në mënyrë të trashë dhe arrogante, që do të ofendonte çdo njeri dhe nën mesataren e inteligjencës normale.

Eshtë një parangall ku kanë ngecur shumë persona të hierarkisë qeveritare, por në mënyrë të veçantë Edi Rama, ku me firmën e tij kanë dalë paratë nga thesari por jo më pak është zhytur në këtë llum beniamini i tij në krye të Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj. Për këtë çështje, i mbuluar nga djersët e marazit, Rama në asamblenë e prillit nuk ngurroi të sulmonte me të gjitha bateritë SPAK, që sipas tij po heton vetëm nga të vetët. Në fakt SPAK s’po bën asgjë sepse dihet se në rast se i shkohet deri në fund asaj afere, atëherë gjërat do marrin për dreq për kryeministrin.

Litari i shpëtimit këtë herë ishin sanksionet britanike që u kujtuan se një shtetas i tyre paska bërë allishverishe me Berishën këtu e 14 vjet më parë, por pa sqaruar se përse ky individ vijon me investimet në Britaninë e Madhe, si nuk është dënuar asnjëherë dhe si mund të sanksionosh një ish kryeministër  të një vendi tjetër për bashkëpunim me një shtetas tëndin. Në rast se Berisha qenka fajtor për mbështetjen që i ka dhënë shtetasit anglez Fazlic, atëherë po aq fajtor dhe ndoshta më shumë është dhe Fazlic.  Sanksioni i mbështetur tek ky arsyetim është një logjikë që nuk shkon, për të mos thënë që e kthen shtetin ishullor në qesharak.

Dhe jo vetëm kaq.

Në zgjedhjet e ardhshme  vendore Rama shkon me një mal skandalesh në kurriz, me një keq qeverisje që s’është parë në këtë vend që nga koha e Adil Çarçanit. Administrata e tij s’është gjë tjetër vetëm se  një tufë hajdutësh arrogantë që çdo dështim po na e shesin si sukses, dhe çdo vjedhje si punë të mbaruar. Protesta e 7 korrikut tregoi se gjërat nuk i shkojnë aq mbroth sa mendon ai dhe qytetarëve të Tiranës s’është se ua ndjeu shumë për propagandën e tij.

 Rama mund të jetë dëlirat, dhe mediokër në qeverisje por ajo që di më mirë është fakti se në  rast se në Tiranë është mbushur kupa, në rrethe është derdhur me kohë. Po ti shtosh kësaj se parashikohet një dimër i vështirë dhe  në muajt e që do vijnë qytetarët pritet të  përballen me rritje të ndjeshme të faturave dhe çmimeve, apo me ndërprerje të stërzgjatura të energjisë goditja që mund të marrë në zgjedhjet lokale mund të ishte fatale. Ai e njeh mirë forcën e Berishës. E di fort mirë se ka të bëjë me një lojtar që di ti flasë turmës dhe situatat ti kthejë në favor  dhe kjo mund të shënojë dhe fillimin e fundit të ditëve të lavdisë për të. Ato ditë që ai kishte projektuar ti zgjaste së tepërmi me opozitën e lodhur të Bashës.

Në Angli Boris Johnson dha dorëheqjen sepse kishte shtruar darka gjatë pandemisë dhe se një ministër i kabinetit të tij me prirje homoseksuale kishte ngacmuar dy burra në një klub. Ndërsa Rama na tregon se firmos fap fap për vjedhjen 420 milionë eurove, dhe po ashtu fap fap po vret shpresën e të gjithë shqiptarëve. Kaq mjafton për të mos dëgjuar broçkullat që na vijnë qoftë nga Anglia, qoftë nga çdo individ që e sheh popullin më të varfër të Ballkanit si lopë për tu mjelë.

Që mos zgjatemi, duhet thënë se tërheqja e Berishës në këtë moment do ishte fatale për opozitën. Nuk do bënte gjë tjetër vetëm se do i zgjaste keqqeverisjen e Ramës dhe bashkë me të edhe agoninë vendit. Një tërheqje e Berishës do ishte pranimi i një disfate përpara mbështetjes së qarqeve të caktuara të  blera nga paratë e iceneratorëve, nga ndërtimet pa fre, nga rrugët më të shtrenjta në Evropë, dhe nga PPP-të që po rrjepin përditë shqiptarët. Shtetet e tjera, qofshin këto dashamirëse apo jo me ne që na flasin për stabilitet, për progrese imagjinare  e më the e të thashë,   i kanë vënë për terezi demokracitë dhe funksionimin e shteteve të tyre e tyre. Ndërsa  shqiptarët se kanë ende këtë luks.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco