Propozim për strategji politike të PD-së në kuadër të Rithemelimit

Propozim për strategji politike të PD-së në kuadër të Rithemelimit

19:58, 10/04/2022

Nga Andi Mustafaj

1. Boshti ideologjik si hapi i parë pa të cilin nuk mund të ketë Rithemelim

1.1. ‘Dhjetori i Ri’ : Siç vjen pranvera dhe çelin lulet vjen ‘Dhjetori i ri’ dhe çel liria.

Është jetësore që të gjendet një bosht ideologjik i cili të bashkojë të gjithë brezat e demokratëve, t'i bind ata se sado e madhe të jetë e keqja ajo mundet, të krijoj shpresën e një të ardhme më të mirë për shqiptarët dhe Shqipërinë.

‘Dhjetori i ri’ është një koncept që i jep përgjigje të gjithë këtyre elementëve. Është një mënyrë për t'ju folur demokratëve të vjetër dhe për të nisur diçka për demokratet e rinj (lidhja midis brezave, bashkimi).

Është një slogan që buron në dëshirën për liri dhe për luftën ndaj së keqes (aspekti sulmues). E kemi mundur një herë të keqen dhe, do e mundim përsëri. Është diçka pozitive dhe zmadhuese (si nevojë për të hapur një kapitull të ri gjithëpërfshirës).

Dhjetori i Ri si mundësi për të ndërtuar mbi themelet e arritjeve të mëparshme (pra mbi atyre që kanë arritur fitore). Kujton gjithashtu lidhjen pro amerikane të PD-së dhe vlerave konservatore të së djathtës.

Duke kapitalizuar mbi të kaluarën jemi në gjendje të krijoni diçka të re (jo thjesht përsëritje të së kaluarës).

1.2. Bosht dytësor: ‘Rezistenca’ në kundërpërgjigje ndaj ‘Rilindjes’

Rezistenca është ideja që i kundërpërgjigjet Rilindjes siç e përfaqëson Rama. Është një koncept historik sepse kujton të gjitha rastet kur njerëzit kanë rezistuar ndaj pushtimeve, regjimeve apo gjatë luftërave. Partia Demokratike duhet te njësoj ligjërimin e saj politik me veprimtarinë politike.

Nuk mund ti thuhet njerëzve që po luftojmë një regjim por ndërkohë të sillemi sikur gjendemi në një demokraci qindra vjeçare perëndimore. Sa më shpesh fjalët tona nuk janë koherente me veprimet tona, ne ndikojmë që të ushqehet ideja deri tek subkoshienca e qytetarëve se jemi gënjeshtar dhe se nuk vlejmë më shumë se këta që po luftojmë.

Rezistenca është gjithashtu një koncept që mundëson një kalim historik midis atyre që rezistuan 30 vite më parë dhe neve që rezistojmë sot ndaj një regjimi të ndryshëm në formë, por po aq të rrezikshëm për të ardhmen e vendit.

1.3. Akse te tjera komunikimi: ‘Në veprim, për Shqipërinë’, ‘Besimi te veprimi’, ‘Me kokën lart’, ‘Të pamposhtur’, ‘Veprimi fitues’

Partia Demokratike duhet të përgatis dhe të zhvilloj një shumëllojshmëri sloganesh dhe strategjie komunikimi në mënyrë që të jet në gjendje të imponoj ritmin dhe intensitetin e axhendës politike. Gati gjithmonë jemi gjetur një hap mbrapa Edi Ramës duke reaguar gjithmonë ndaj propagandës së tij dhe duke shkuar gjithmonë në fushën e tij. Kjo dinamik e rëndë kërkon një farë kohe për tu kthyer dhe sidomos kërkon një përgatitje të madhe. Njëlloj si një lojtar shahu duhet të kemi me dhjetëra lëvizje përpara në kokë.

Asket e tjera të komunikimit duhet gjithashtu që të përqëndrohen tek ideja e veprimit, e lëvizjes brenda të cilës njerëzit mund te bashkohen. Njëlloj si ideja e një treni që merr shpejtësi pak e nga pak deri sa të bëhet i pandalshëm. Duhet gjithashtu që ti bëhet thirrje instiktive dhe elementëve që bëjnë krenarin e Shqiptarit.

2. Një filozofi e re për strukturat qendrore

2.1. Profesionalizimi i administratës së Partisë Demokratike

Përjetimi i politikës me pasion dhe emocion të tejskajshme na ka bërë që t'i japim një vend shumë të madh shpirtit militant përballë ftohtësisë burokratike të ekspertëve. Politika në fakt është çështje ekuilibrash dhe pragmatizmi.

Strukturat qendrore nuk duhet të përbëhen nga njerëz me ambicie të madhe politike, por njerëz me ambicie të madhe administrative. Partisë i mungojnë burime njerëzore që të bëjnë gati brumin me të cilin përfaqësuesit politik do bëjnë bukën.

Administrata qendrore duhet të jetë makineria e prodhimit të ideve politike, hulumtimeve tematike, propozimin e strategjive të përgjithshme dhe sektoriale.

Kjo administrate qendrore duhet të jetë gjithashtu përgjegjëse për koordinimin e strategjisë digjitale dhe audio vizuale të Partisë dhe përfaqësuesve të saj. Kjo gjë mungon tërësisht sot dhe gjendemi përballë një harxhimi shumë të madh energjie, e cila në fakt, e pambështetur mbi një strategji të qartë dhe një koordinim efektiv shkon dëm, nuk prodhon politikë.

Një prej arsyeve që organizimet dhe riorganizimet kanë dështuar më parë është sepse aty vendoseshin të rinj që në shumicën dërrmuese të tyre zhgënjeheshin se nuk gjendeshin në listat për deputet apo për kryetar bashkie.

Ndërkohë Partia Demokratike ka nevojë për një shumëllojshmëri talentesh ku nëpunësit duhet të gjejnë vendin e tyre të merituar.

2.2. Ripërkufizimi i dy roleve kyçe : Sekretari i Përgjithshëm dhe Zëdhënësi i Partisë

Roli i zëdhënësit të Partisë është një rol shumë i nënvlerësuar tek ne. Në përgjithësi zgjidhen njerëz për shkak të paraqitjes dhe jo për shkak të aftësisë që kanë në komunikim dhe ligjërimin publik, kuptuar këtu gjerësisht, pra me përdorimin e mjeteve të reja të teknologjisë së informacionit. Zëdhënësi nuk duhet të jetë anëtar i parlamentit dhe duhet të fokusohet tërësisht në këtë detyrë. Duke bërë një gjë të tillë, tregohet qartë se është kuptuar pesha e propagandës së Rilindjes dhe se do t’i jepet mundësia Partisë Demokratike të jetë më në fund në nivelin e duhur për të çuar betejën e komunikimit në zemrën e mekanikës së Rilindjes.

Sekretari i Përgjithshëm duhet te ketë aftësi të larta organizative, një teknicien me eksperiencë të madhe në drejtimin e strukturave dhe projekteve. Një teknicien i cili të gjendet larg pasionit të përplasjeve politike, ky është profili i nevojshëm. Një teknicien që të jetë gjithashtu një forcë e plotë mbështetëse për të gjithë dhe në çdo aspekt të vijës programatike të partisë.

Duke parë situatën ne te cilën gjendet partia Sekretari i Përgjithshëm nuk duhet te jet anëtar i Parlamentit dhe te përqendrohet tërësisht ne ringritjen e strukturave ne te gjithë vendin.

3. Një veprimtari përtëritësve (inovative) e strukturave lokale

3.1. ‘Harta e problematikave qytetare’ si kundërpërgjigje ndaj patronazhistëve

Për shkak të një shumëllojshmërie arsyesh, Partia Demokratike nuk ka më një panoramë të qartë të problematikave në rang lokal dhe nuk ka arritur të shpik apo të propozoj veprime përtëritëse politike.

Një ide me dobi të shumta që ndër të tjera zgjidh këto probleme është përgatitja e një Harte Lokale dhe Kombëtare të problematikave qytetare. Kjo hartë duhet të jetë digjitale, publikę dhe lehtësisht e aksesueshme në mënyrë që çdo qytetar shqiptar të shoh angazhimin e plotë të strukturave tona në shërbim të tyre.

Duke mbledhur të dhënat mbi problematikat në zonat ku banojnë, militantët do kenë mundësi që të lidhin një marrëdhënie të re me qytetarët duke i përpunuar ato dhe përmbledhur shqiptarët do mund të shohin aftësinë organizative të Partisë Demokratike si dhe të shfaqet gjithmonë e më hapur situata e vështirë në të cilën gjendet vendi.

Kjo hartë do shërbej për të hartuar programe dhe strategji politike më të spikatura (ndër të tjera që do shërbejnë si bazë për kandidatët që do prezantohen në zgjedhjet e ardhshme vendore) si dhe do mundësojë që publikisht dhe në mënyrë të vazhdueshme Partia Demokratike të tregojë se punon në dobi të shqiptarëve për të zgjidhur problematikat e tyre.

Aty ku Rilindja kriminale i ofron shqiptarëve patronazhistët që vjedhin të dhënat e tyre dhe i përdorin për t'i manipuluar, ne do propozojmë demokratë që i ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve që ata ndeshin në jetën e tyre të përditshme.

3.2. Iniciativa +1 si mënyra më e mirë për të angazhuar çdo demokrat

Në njëfarë mënyre u kërkohet shumë militantëve. U kërkohet që të ‘sjellin vota’. Kjo është një mënyrë arkaike e të bërit politikë. Nuk funksionin, njerëzit gënjejnë, shesin votën etj. Kështu që militantët mendojnë se sjellin vota, por në fakt nuk e bëjnë. Puna e tyre shkon në një masë të madhe dëm. Ndërkohë që mendojmë se punojnë efektivisht, por në fakt nuk një gjë e tillë nuk ndodh.

Militantët më të angazhuar nuk duhet më të merren me lista, por me hartën e problematikave qytetare. Të bëhet një gradacion në investim.

Ndërkohë të tjerët, ata që mund ti quajmë ‘të thjeshtë’ në kuptimin që nuk kanë një angazhim të përditshëm në jetën e Partisë duhet tu kërkohet diçka më e vogël por më shumë cilësore. ‘Iniciativa +1’ nënkupton që çdo demokrat duhet të bind një person të vetëm se përse duhet të votoj për Partinë Demokratike.

Një për person që të krijohet një ortek. Nëse qendra bën punën mirë duke impulsuar ide dhe shpresë si dhe, krerët lokal duke zgjidhur probleme me Hartën atëherë ‘Iniciativa +1’ do jetë më e thjeshtë. Një drejtues i mirë e kupton rendësin që ka fakti që çdo element i ekipit të kërkohet diçka që mund ta arrij dhe diçka që e kupton qartë.

3.3. Laboratori i sukseseve në zemër të Rithemelimit

Shkodra duhet të kthehet në laboratorin e sukseseve të Partisë Demokratike në prodhimin e ideve dhe në formimin e brezave të rinj.

Detyra e parë e këtij laboratori duhet të jetë arritja e sukseseve të prekshme nga qytetarët nëpërmjet mbështetjes së aktivitetit politik të bashkisë. Mbështetja që laboratori i sukseseve duhet t’ju jap këtyre bashkive do të mundësojë krijimin e një solidariteti midis veprimtarisë politike kombëtare dhe lokale të Partisë Demokratike, e cila do t'na forcojë si grup politik.

Kjo mbështetje do të mundësojë gjithashtu që brezi i ri i Partisë Demokratike të ballafaqohet me një realitet tjetër ku synimi nuk është më kundërshtimi, por ndërtimi, në të gjitha format që ky koncept merrë në politikë.

Mbështetja duhet të vije për procesin e politikbërjes, nga projektimi tek zbatimi, për marrëdhënie me qytetarët dhe mediat (në terren apo në internet) si dhe me strategjitë e duhura për t'u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Duhet që në të gjitha rastet e mundura të rikuperojmë terrenin e braktisur të ideve, të shkojmë atje ku kundërshtari nuk na pret. Duke shkuar në mënyrë të vazhdueshme përpara parlamentit apo kryeministrisë, ne jemi pikërisht aty ku Edi Rama na do dhe di t'na luftojë.

4. Një parti e aftë për të luftuar një regjim

4.1. Plani Kombëtar i Tranzicionit si element i domosdoshëm i besueshmërisë së qeverisjes së ardhshme

Ekziston një mit shumë i rrezikshëm në narrativën politike të shumë përfaqësuesëve të Partisë Demokratike. Po të iki Edi Rama gjërat do rregullohen për Shqipërinë.

Ky është një mit sepse Edi Rama ka shtrirë rrënjët e regjimit të tij në çdo hallkë të shoqërisë. Bandat kriminale dhe oligarkët nuk do dorëzojnë pushtetin që kanë marrë gjatë këtyre viteve. Për më tepër që ky pushtet është njohur me ligje dhe kontrata juridike nga qeveria.

Që njerëzit të marrin seriozisht Partinë Demokratike, ne duhet të jemi të aftë t'u tregojmë atyre se e kemi kuptuar kompleksitetin e problemit. Ne duhet t'u tregojmë atyre që e kemi integruar në vet mentalitetin dhe shpirtin tonë që vendi është në njëfarë gjendje lufte.

Mbas një gjendje të tillë duhet një fazë tranzicioni. Sikur mos të bind kjo analizë mjaftojmë të kujtojmë se sa e rëndë ka qenë zhgënjimi mbas rënies së komunizmit dhe fakti që njerëzit prisnin qe t’ju përmirësoheshin jetët menjëherë.

Plani i tranzicionit duhet të jetë një plan i përgatitur me të gjitha shtresat e shoqërisë Shqiptare. Duhet te jet një plan mbi te paktën një vit dhe të jetë i shtjelluar me të gjitha ministritë, duke filluar nga arsimi e deri tek rendi dhe mbrojtja.

Si do thyejmë regjimin?

4.2. Llogaridhënia dhe meritokracia si filozofi e re veprimi

Performanca, kuptuar si arritja e rezultateve të caktuara është elementi thelbësor i çdo veprimtarie, personale apo profesionale, private apo publike.

Në një demokraci të mirëfilltë, vlerësimi i performancës së personelit politik kryhet në mënyrë të vazhdueshme. Ajo mundësohet nga një shumëllojshmëri mjetesh që burojnë nga mediat (nëpërmjet sondazheve, reportazheve investigative, pasqyrimit të lajmeve), shoqëria civile dhe grupeve të presionit (nëpërmjet sindikatave apo shoqatave) apo qytetarët (nëpërmjet protestave apo ndëshkimit në zgjedhje të ndryshme lokale).

Në Republikën e Shqipërisë këto mjete nuk ekzistojnë. Përfaqësuesit tanë politikë nuk burojnë nga besimi i qytetarëve, por mbijetojnë falë gërshetimit të sistemit proporcional rajonal dhe listave që janë fruti i vullnetit të një njeriu.

Kjo zhvendosje e ‘qendrës së fundit të vlerësimit të performancës’ nga qytetarët tek kryetari ka sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë një zhvendosje të veprimtarisë politike nga rrethet tek qendra, nga themeli tek forma, nga koha e gjatë tek drita e shkurtër.

Këta indikatorë duhet të vendosen në radhë të parë mbi Kryesinë e Partisë dhe pak e nga pak duke kapitalizuar mbi suksesin dhe shembullin e dhënë, të përhapet tek degët dhe nëndegët e Partisë Demokratike, derisa të bëhet pjesë e plotë e mentalitetit dhe identitetit tonë.

Në vijimësinë e idesë themelore të krijimit të kundër shembullit ndaj Rilindjes Socialiste, kryetari i Partisë Demokratike duhet që për çdo anëtar të Kryesisë së PDSH, të hartojë një shkresë individuale, e cila e ngarkon me një mision tematik. Vendosja e kauzave madhore kombëtare dhe fitimi i tyre.

Në këtë shkresë duhet të përshkruhet minimalisht misioni që kryetari i ngarkon personit në fjalë, arsyet e ngarkimit të këtij misioni, rezultatet që duhen arritur dhe dokumenti e produkti përfundimtar që duhet prodhuar.

Kjo shkresë duhet të jetë publike, në mënyrë që gjithsecili të mund ta konsultojë. Kjo mënyrë funksionimi, e pazakontë, sjellë një baraspeshë themelore ndaj çalimit të situatës së tanishme.

Moderniteti fillon me gjetjen e zgjedhjeve të reja ndaj problemeve strukturore që vuan politika shqiptare. Kundërshembulli ndaj Rilindjes Socialiste duhet të jetë një përpjekje e çdo kohe e Partisë Demokratike.

5. Mosvendosja e protestave si mjet i vetëm i veprimtarisë opozitare

Protestat dhe në mënyrë më të përgjithshme denoncimet, janë elemente thelbësore të aksionit opozitar, ato mundësojnë mbajtjen e një presioni të vazhdueshëm mbi qeverinë dhe bërjen të njohur për qytetarët të skandaleve të shumta, qofshin ato kriminale, ligjore apo morale të së ashtuquajturës ‘Rilindje Socialiste’.

Megjithatë, përqendrimi i tërësishëm i Partisë Demokratike tek revolta në veprimtarinë e saj opozitare krijon në mënyrë të drejtpërdrejtë një boshllëk, i cili bën të peshoj mbi shpatullat e saj 3 rreziqe të mëdha.

Legjitimiteti i cunguar: Nëpërmjet protestave dhe denoncimeve, ajo që Partia Demokratike i kërkon qytetarëve është aderimi në bazë të kundërshtimit: ‘Hajdeni me mua sepse tjetri është i keq’. Emëruesi i përbashkët nuk është Partia Demokratike. Ajo në fakt në këtë rast është vetëm një mjet për qytetarët që të shprehin një pakënaqësi. Nëse qëllimi arrihet, pra rrëzimi i qeverisë të ndodhë, emëruesi i përbashkët do të zhduket dhe Partia Demokratike do të gjendet përballë një situate ku në fakt do të zbuloj se është shumë më e dobët sesa ç’mendonte.

Deformimi i brezave: Prej vitesh ‘brezi i ri’ është ushqyer vetëm nga revolta duke krijuar një lloj negativiteti. Ky negativitet është lehtësisht i perceptueshëm po të ndjekësh shumicën dërrmuese të aktivitetit të përfaqësuesve tanë në rrjetet sociale, në parlament apo në median vizive ku mbizotëron sulmi, denoncimi, ballafaqimi.

Mungesa e identitetit politik: Shumë lehtë mund të shtrohet pyetja: përse ju deputetë, drejtues, anëtar, militantë të Partisë Demokratike jeni sot bashkë? Gati sistematikisht, përgjigjja do të shkoj tek emëruesi i përbashkët i revoltës, ne jemi bashkë për të luftuar ‘Rilindjen Socialiste’ dhe pasoja e saj mbi shoqërinë shqiptare. Ne jemi bashkë për shkak të vlerave tona. Po mbasi ky emërues i përbashkët të zhduket me rënien e kësaj qeverie? Çfarë do t'na bashkojë? Përqendrimi tek revolta dhe lënia tërësisht në harresë e ndërtimit bën që sot është e pamundur t’i jepet një përgjigje kësaj pyetje.

6. Lista e zezë e personave që minojnë lirinë në Shqipëri për të çuar betejën e kauzave deri tek dera e personave që kanë abuzuar me pushtetin

Po bëhen 9 vite tashmë qe regjimi i Rilindjes po shtrin kthetrat ne te gjithë vendin. Gjate këtyre viteve një grup i madh njerëzisht kane përfituar dhe abuzuar ne mënyrë te tmerrshme me pushtetin dhe nderin qe i’u është dhënë për te qeverisur vendin.

Ne 30 vite faktikisht kemi dëgjuar shpesh partitë politike qe thonin ‘kur te vijmë ne pushtet’ personat qe kane abuzuar do shkojnë ne burg por ne fakt kjo gjë nuk ka ndodhur asnjëherë. Si pasoje, është dëmtuar dhe zhvlerësuar ne mënyrë te vazhdueshme fjala e përfaqësuesve politike dhe shpresa tek qytetaret se drejtësia vonon por nuk harron.

Është e vërtetë, që për shkak te imunitetit dhe peshës qe u jep mandati i deputetit, disa politikane gëzojnë një mbrojtje te madhe. Ndaj kjo liste mund te përqendrohet fillimisht tek nëpunës te larte politik te cilët i kane ber nje dem te madh vendit dhe te zgjerohet deri tek hallkat me te larta te qeverisjes.

Partia Demokratike te hartoj dhe te argumentoj listën e personave qe minojnë demokracinë ne vendin tone dhe te ndërmarrë hapa konkret për vënien përpara drejtësisë se këtyre individëve. Ne asnjë moment, ne nuk mund dhe nuk duhet te kemi frike te shkruajmë ne letër emrat e personave si Ardi Veliu, Erjon Veliaj, Artan Lame etj.

7. Zgjedhjet vendore 2023: 3 muaj primare, 3 muaj përgatitje, 6 muaj fushatë që kandidatet te krijojnë profile politike mjaftueshëm të fortë për te shkundur Rilindjen

Ballafaqimi i radhës gjatë të cilit do kemi një mundësi të re për te shkundur Rilindjen do ndodh gjatë zgjedhjeve lokale te vitit te ardhshëm.

Mirëpo një sistem kriminal nuk lëkundet dot nga kandidat që dalin dy muaj përpara zgjedhjeve dhe bëjnë vetëm një muaj fushatë. Një sistem kriminal nuk mundet gjithashtu të lëkundet nga njerëz legjitimiteti i të cilëve buron vetëm nga vullneti i një personi.

Ne duhet te jemi në gjendje te krijojmë një dinamikë pozitive e cila të ngrihet në fuqi ne mënyrë graduale. Kjo dinamikë krijohet duke organizuar primare të vërteta gjatë të cilave kandidatët duhet të debatojnë me njëri tjetrin dhe të mobilizojnë strukturat e Partisë.

Kandidati fitues duhet më pas, duke u mbështetur mbi Hartën e Problematikave qytetare dhe Laboratorin e Sukseseve te hartoj një program sa më pranë nevojave te qytetarëve të zonave te tyre.

Së fundmi, kandidati fitues duhet të bëj fushatë për 6 muaj. Kjo kohë e cila duket e gjatë do mundësojë në fakt që kandidatët të krijojnë një profil të vërtetë pranë qytetarëve, të pushtojnë ne mënyrë pozitive hapësirën mediatike si dhe ti tregojnë vetes së tyre, mbështetësve te tyre dhe gjithë shqiptarëve se janë gati te punojnë aq sa është e nevojshme për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës. Çdo veprim i yni i cili nuk tregon se deri ku jemi gati të shkojmë për të mbrojtur demokracinë dhe lirinë në vendin tonë është i destinuar për të dështuar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco