Presidenti Meta uron Sulltan Nevruzin: Të jemi më optimistë për të ardhmen

Presidenti Meta uron Sulltan Nevruzin: Të jemi më optimistë për të ardhmen

16:00, 22/03/2021

Me rastin e Festës së Sulltan Novruzit, Presidenti i Ilir Meta vizitoi sot Selinë e shenjtë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit, ku u mikprit nga Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe klerikë të tjerë bektashinj.

Në këtë ditë të shenjtë, Presidenti i Republikës u uroi të gjithë besimtarët bektashinj ‘Gëzuar Festën e Sulltan Novruzit!’, duke u përcjellë atyre si dhe gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhen, urimet më të mira për shëndet e mbarësi për ta dhe familjet e tyre.

‘Ishte kënaqësi të vizitoja sot Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore dhe t’i uroja Kryegjyshit Botëror dhe të gjithë besimtarëve: Gëzuar Sulltan Nevruzin, ditën e lindjes së Imam Aliut, ripërtëritjes së shpresave dhe demokracisë, sepse pranvera dhe demokracia janë në sintoni të plotë me njëra-tjetrën.

Një jetë më të mirë, në paqe, më të begatë dhe për të kaluar këtë dimër të gjatë, me vështirësi të mëdha, por edhe më vuajtje të pazakonshme,për shkak të pandemisë.

Sot bashkohem me lutjet e Kryegjyshit Botëror dhe të gjithë udhëheqësve tanë të besimeve për shëndetin e çdo qytetari të vendit tonë dhe apeloj për të bërë sa më shumë kujdes!

Njëkohësisht të jemi më optimistë për të ardhmen, më solidarë, më bashkëpunues, më tolerantë, më të dashur me njëri-tjetrin e mbi të gjitha të mbizotërojënë zemrat tona dashuria për Shqipërinë, për Atdheun tonë të përbashkët!’ – u shpreh Presidenti Meta.

Pyetje: Zoti President, po flisni me shumë simbolika: dimër të gjatë, ngjyra të ndryshme, pranvera...?

Presidenti Meta: Ka qenë dimër jo i zakonshëm. Kemi pasur rreshje dëbore jo të zakonshme, aq sa ende po të shohim në malin e Dajtit, bora është zotëruese, por lulet kanë çelur. Mimozat kanë çelur dhe jo vetëm ato. Kështu që pranvera do të jetë e pandalshme dhena ndihmon të gjithëve që të jemi më optimistë dhe të kemi më shumë besim tek e ardhmja, pavarësisht nga vështirësitë e momentit.

Pyetje: Zoti President, ky 22 mars a është ajo çfarë shqiptarët pritën 30 vite më parë?

Presidenti Meta: Nuk dua të flas këtu në këtë Seli të Shenjtë për këtë çështje. Besoj se shqiptarët presin shumë nga e ardhmja, sidomos nga kjo pranverë dhe e kanë kuptuar se fuqia e ndryshimit janë vetëm ata.

Pyetje: Zoti President, si e komentoni ardhjen e vaksinave ruse për përdorim në Shqipëri?

Presidenti Meta: Edhe një herë apeloj për të forcuar masat, për të rritur shëndetin, për të garantuar sigurinë e trajtimit shëndetësor për të gjithë qytetarët pa asnjë lloj diskriminimi, por vetëm mbi kritere shkencore.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco