Këmbimi i letrave Thaçi-Rasmussen është marrëveshje ndërkombëtare

Këmbimi i letrave Thaçi-Rasmussen është marrëveshje ndërkombëtare

Nga Veton Surroi - 27/02/2020

Publicisti, Veton Surroi ka përkrahur kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, në lidhje me letër-këmbimet e publikuara të cilat ishin bërë mes ish-kryeministrit Hashim Thaçi, dhe sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Surroi përmes një shkrimi në Facebook thotë se kjo marrëveshje ndërkombëtare dhe të tilla si kjo do të duhej të ratifikohen në Kuvend.

“Këmbimi i letrave mes kryeministrit të atëhershëm Thaçi dhe sekretarit të atëhershëm të NATO-s Rasmussen ka karakterin kontraktues ndërkombëtar, pra është marrëveshje.

Marrëveshjet ndërkombëtare, si obligim kushtetues, duhet të ratifikohen në Kuvend. Kushtetuta garanton që asnjë individ nuk mund të marrë obligime në emër të Kosovës pa miratimin parlamentar dhe shkelja e kësaj garancie është shkelje kushtetuese”, shkruan Surroi.

Surroi tutje shkruan se Kushtetuta është bërë falë ndërhyrjes së NATO-s, dhe se respektimi i saj është shenjë respekti edhe për NATO-n, ndërsa injorimi i procedurave kushtetuese është dëmtim thelbësor i karakterit të shteteve atlanticiste, të sundimit të ligjit.

“Kushtetuta e vendit është sajuar në masë të madhe falë ndërhyrjes së NATO-s dhe shteteve të fuqishme të saj , duke e çliruar Kosovën dhe mbështetur procesin e pavarësimit të saj.

Respektimi i Kushtetutës së vendit është gjithashtu shenjë e madhe respekti ndaj NATO-s. Dhe e kundërta: injorimi i procedurave kushtetuese apo shkelja e drejtpërdrejtë e saj është dëmtim thelbësor i karakterit të shteteve atlanticiste, të sundimit të ligjit”, thotë Surroi.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë së mërkurës ka bërë publike një letër-këmbim mes presidentit, Hashim Thaçi, në atë kohë kryeministër dhe sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco