Enver Hoxha për shqiptarët është njësoj siç ishte Hitleri për gjermanët

Enver Hoxha për shqiptarët është njësoj siç ishte Hitleri për gjermanët

Nga Enver Robelli - 12/04/2024

Enver Hoxha, i cili vdiq si sot para 39 vitesh, vrau së paku 6000 shqiptarë. Kaq boshnjakë vranë forcat serbe në Srebrenicë. Nga OKB Srebrenica u shpall gjenocid. Në Tiranë (qe besa edhe në Kosovë) ka figura publike që edhe sot, katër dekada pas vdekjes së diktatorit komunist, dalin e thonë: hajt se nuk ishte aq i keq! Në kampe përqendrimi regjimi kriminal i Enver Hoxhës internoi, syrgjynosi, keqtrajtoi brutalisht qindra-mijëra shqiptarë. Shkatërroi mijëra familje dhe elitën intelektuale properëndimore.

Adhurimin dhe respektin për regjimin jugosllav e kultivoi herë hapur, herë heshtur, siç e dëshmon e veja e tij Nexhmije Hoxha në revistën DER SPIEGEL, nr. 15, viti 2004: “Ndonëse më vonë Tito u bë kryearmiku ynë ideologjik, burri im (Enver Hoxha, v.j.) e respektonte atë si faktor stabiliteti në Ballkan. Kur Tito u sëmur për vdekje, Enveri më befasoi me këto fjalë: ‘Kam pasur dëshirë që ai të jetonte edhe disa vite.”

Më 1946, në kulmin e vëllazërisë së komunistëve shqiptarë me ata jugosllavë, Enver Hoxha tha: “Jugosllavia demokratike është më e avancuar, më e përparuar se ne. Interesi ynë është që ajo të jetë e fortë, se me një Jugosllavi të fortë do të ketë demokraci në Ballkan. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresiste”.

Çka është për gjermanët Hitleri, për shqiptarët është Enver Hoxha - më i madhi kriminel në historinë e kombit. Madhërimi i figurës së tij nga manipulatorë të historisë është krim i sërishëm ndaj viktimave të panumërta që ka shkaktuar regjimi tiranik i Tiranës komuniste. Çka është sot Koreja e Veriut, për shqiptarët ishte Shqipëria e Hoxhës: një Gulag në Mesdhe.

Kjo e kaluar e errët nuk përkujtohet si duhet sot në Shqipëri. Traumat e së kaluarës përdoren për turizëm qesharak. Ja, këtu përgjonte “Sigurimi”, haha! Ja, kishim kaq e kaq bunkerë, haha! Filani u arrestua dhe dënua me burg se dëgjoi rokmuzikë, haha! Kështu u prezantohet turistëve zezona komuniste. Në shtëpinë e diktatorit vrapon “elita e re” për të mbajtur “aktivitete kulturore”. Xhelatët e dikurshëm bëjnë jetë të rehatshme. Disa kanë ikur në Perëndim dhe dalin në televizione të Tiranës dhe "shpjegojnë" sa e bukur ishte Shqipëria dikur, kur njerëzit zgjoheshin në orën 02:00 të natës dhe prisnin në rend për një litër qumësht. Dhe në orën 08:00 ktheheshin në shtëpi duarbosh!

Vetëm në Shkodër gjatë komunizmit u burgosën 2890 veta, prej tyre 601 u vranë, 136 nuk mbijetuan nga torturat. Eshtrat e shumë viktimave në Shkodër ende janë të shpërndarë nëpër zona me bërllok.

Porosia e Stalinit më 1949 për Enver Hoxhën gjatë një takimi në Sukumi pranë Detit të Zi: “Çështja e Kosovës duhet të lihet në plan të dytë dhe nga ana juaj të mos vihet në plan të parë”. E thënë, e bërë!

Një popull që nuk e përbuzë në mënyrë meritore një diktator, nuk e ka vështirë t’i durojë adhuruesit e tij në jetën publike. Edhe kjo është pasojë e deformimit të shoqërisë nga regjimi komunist.

*Marrë nga faqja në FB e autorit

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco