E para punë e opozitës është të lirojë kryetarin e saj nga izolimi!

E para punë e opozitës është të lirojë kryetarin e saj nga izolimi!

Nga Enver Bytyçi - 14/04/2024

Çdo opozitë ndërton strategjinë e vet për të ardhur ose për t’u rikthyer në pushtet. Opozitarizmi është tipar i demokracisë dhe kalimi nga qeverisja në opozitë shërben për reflektim e për rritje të kapaciteteve politike e në fushën e menaxhimit dhe administrimit të shoqërisë. Partia Demokratike e Shqipërisë sot është në opozitë. Ajo është opozita më e dhunuar e Europës, krahasuar me opozitën ruse dhe bjelloruse. Nuk është e dhunuar opozita serbe aq sa është opozita shqiptare. Tipar i përbashkët i opozitës shqiptare me opozitën ruse dhe bjelloruse është izolimi i kreut të saj.

Nëse lexojmë dhe vlerësojmë veprimin opozitar në Rusi e Bjellorusi, nxjerrim përfundimin se opozita jashtë mureve të izolimit nuk luftoi sa duhet për të mbrojtur të drejtat e kryeopozitarit. Kjo bëri që regjimi të forcohet dhe opozita të dobësohet. Lëvizjet më të mëdha u bënë nga familjarët e tyre. Në këtë aspekt Argita Berisha i ngjan gruas së Navlnit, Julias. Por kjo nuk mjaftoi në Rusi dhe nuk mjafton në Shqipëri për rikthimin e lirisë e të demokracisë në vend. Në të dy vendet është mafia dhe paratë e pista të saj që mbështesin qeverinë dhe qeverisjen. Në këto kushte nuk mund ta mbrojë kreun e opozitës vetëm një ose disa familjarë të tij, as një grup militantësh që bëjnë sakrificë sublime duke u grumbulluar çdo natë pranë banesës së zotit Berisha.

Opozita nuk ka e nuk duhet të ketë objektiv më madhor sesa të mbrojë kreun e saj. Opozita shqiptare nuk mundet të jetë e bashkuar duke mbrojtur SPAK-un, persekutonin në emër të maffies në pushtet të kreut të opozitës dhe të neglizhojë mbrojtjen e kryetarit të Partisë Demokratike. Ata që brenda opozitës ende nuk e kanë ndarë mendjen, nëse janë me persekutorin apo me viktimën, këta politikanë janë rreziku më i madh i opozitarizmit. Nuk është më Lulzim Basha rrezik dhe kërcënim për lirinë opozitare në Shqipëri. Janë marionetat e shtetit persekutor brenda opozitës.

Të merresh me komisione parlamentare qofshin këto edhe të domosdoshme, për të shmangur luftën kryesore opozitare në përkrahje dhe për lirinë e kryetarit të opozitës, është tradhti brenda saj. Është intrigë e projektuar, skenarizuar dhe me regjizurë mafioze! Nuk mundet të kenë të drejtë edhe kreu i opozitës në arrest shtëpie e i ndaluar të komunikojë me partinë kryesore opozitare në Shqipëri, edhe SPAK, që e mban atë të ngujuar pa të drejtë komunikimi brenda katër mureve të banesës së tij!

Përballë Edi Ramës dhe regjimit të tij mafioz nuk mundet të fitojnë opozitarët me dy bythë. Ka vetëm një rrugë për ta fituar betejën opozitare dhe për ta mundur Edi Ramën. Të qenit i vërtetë! Nëse opozitarët në krye të Partisë Demokratike nuk bëhen njerëz të vërtetë dhe interpretë të së vërtetës, siç bën kryetari i tyre, Sali Berisha, atëherë shqiptarët nuk kanë pse t’i besojnë kësaj opozite që ve makiazh. Sot çdokush është i aftë të dallojë selikonin me origjinalitetin e njeriut. Kush përdor selikon për të mbuluar qoftë dhe defektet e lindura të tij, nuk është origjinal. Mungesa e origjinalitetit është shkaku kryesor i humbjeve që opozita merr përballë pushtetit të Edi Ramës.

Të qenit i vërtetë kërkon guxim. Kërkon kompetencë, kërkon të qëndrosh larg pengmarrjes, kërkon gjithashtu të jesh vetvetja. Prandaj nuk duhet të ketë garë në fushën e mashtrimit. Këtë garë e ka fituar prej 11 vitesh nona e mashtrimit, kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës. Me këta përbindësha të mashtrimit mund të matesh vetëm duke qenë ai që je dhe duke u shfaq natyrshëm te publiku si opozitë të së vërtetës reale. Për këtë ka nevojë Shqipëria dhe e vërteta e mbrojtja e saj fillojnë e mbarojnë me aksionin opozitar në përkrahje deri me mosbindje civile të kryetarit të opozitës, cilido të ishte ai. Në rastin konkret bëhet fjalë për Sali Berishën.

Opozitarët me dy prapanica ose duhet të dalin kundër Berishës e të mbrojnë SPAK-un, ose duhet të vihen në krye të aksionit për ta liruar atë nga arresti shtëpiak. Rrugë të mesit në emër të diversitetit nuk ka e nuk mund të ketë. Diversitet në ide, por jo në qëndrime e në veprimet opozitare. Kësaj i thonë përçarje! Bashkohuni opozitarë, ndryshe e morët në qafë këtë vend, këtë popull e këtë komb, thjesht për interesat dhe llogaritë tuaja personale. Nuk është fjala thjesht për fatin e Sali Berishës. Por për fatin e Shqipërisë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco