Asimetria e reagimit

Asimetria e reagimit

Nga Genc Pollo - 12/04/2024

Në 11 janar 2011 një televizion pranë Partisë Socialiste opozitare shfaqi një video ku dy anëtarë të qeverisë dukej se po diskutonin një aferë korruptive. Dhjetë ditë më vonë shefi i PS duke mobilizuar militancën në të tërë vendin thirri një “demonstratë” me skuadrone të dhunshme (ju kujtohen “kokëpalarët e Tomës”) që sulmuan policinë a gardën me pasoja tragjike për katër vetë. Ndër dy anëtarët e qeverisë në fjalë njeri ishte shkarkuar prej një viti e tjetri dha dorëheqjen fill pas publikimit të videos. Ky fakt nuk e ndali opozitën të demonstronte dhunshëm edhe pse kërkesa fillestare (dorëheqja) ishte e përmbushur.

Sot shoqëria civile dhe opozita thirri të dytin tubim proteste para bashkisë Tiranë ku oratorët kërkuan dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj (max) dhe mbledhjen e Këshillit Bashkiak sipas mocionit të këshilltarëve PD/LSI (min); policia shtyu protestuesit dhe këta hodhën shashka e flakadanë tek muret e bashkisë.

Ndryshe nga janari 2011, sot kemi një vendim gjykate të detajuar ku natyra e korrupsionit dhe abuzimit tejkalon jo vetëm precedentët por edhe imagjinatën.

Ndryshe nga janari 2011 sot kryebashkiaku, bazuar në cfarë lexojmë në vendimin e gjykatës e cfarë dimë nga ai para e mbas arrestimit të drejtorëve bashkiakë, është krejt i ekspozuar jo vetëm moralisht e politikisht por edhe penalisht.

Ndryshe nga janari 2011 sot gjykata kërkon hetimin e kryebashkiakut Veliaj, të cilin prokurori i posaçëm, me një “miopi” që po kthehet në model, e kishte lënë jashtë hetimit.

Edhe për ndonjë tutkun që ende beson se korrupsioni i v2011 është më problematik se ai i v2024 është e qartë se sot jo vetëm natyra e korrupsionit por sidomos arroganca e të korruptuarve është përtej precedentit dhe imagjinatës.

Prandaj edhe reagimi publik nuk ka pse të jetë mesatar. Bashkia Tiranë nuk është një ndër shumë syresh por qendra e dytë e pushtetit në vend siç e fomuloi saktë zv-kryeministri në arrati.

Edhe opozita nuk mund të mjaftohet më me thirrje për tubim të lëshuara përnatë para mikrofonit e pastaj në grupe whatsappi.

Një mobilizim i madh në Tiranë e përtej do të duhet për këtë skandal të madh. Pa “kokëpalarë” të dhunshëm por me vullnet e vendosmëri!

Genc Pollo - Ish ministëre deputet

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco